Isa Qosja me “Njeriu që mungonte” sjellë fatin e dëshmorit të izoluar në TKK

26 Janar, 2018 - 3:01 pm

Publiku i Teatrit Kombëtar të Kosovës, në muajin shkurt do të shijoj premierën e shfaqjes “Njeriu që mungonte”, me regji të Isa Qosës e me tekst të Zymber Kelmendit, shkruan KultPlus.
Të gjithë ata që e kanë parë filmin “Home sweet home”, tashmë ngjarjen e këtij filmi do ta shohin të adaptuar në një medium krejtësisht tjetër, pra në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Personazhet e kësaj drame në TKK, do të jetësohen përmes lojës së aktorëve: Bastri Shala, Doresa Rexha, Teuta Krasniqi, Gani Rrahmani, e Agron Shala.

Gili Hoxhaj

Kjo shfaqje trajton fatin e një njeriu i cili ka qenë luftëtar, për një kohë të gjatë konsiderohet si i zhdukur, e dëshmor derisa papritmas kthehet në shtëpinë e tij. Ky personazh shfaqet i traumatizuar derisa sheh se si familjarët e miqt kishin krijuar jetën e tyre në emër të tij. Për të mos ndërhyrë mbi rrjedhën jetës së tyre, ai për një kohë të gjatë duhet të izolohet brenda dyerve të shtëpisë. Regjisori i kësaj shfaqje Isa Qosja në një intervistë të shkurtër për KultPlus tregoi se ka shfrytëzuar të gjitha mundësitë që i ka ofruar teksti i dramaturgut Kelmendi, ndërsa tha se në këtë shfaqje fokusi bie mbi traumatizmin e personazhit kryesor, ndërsa shtoi se është përpjekur që edhe personazhet e tjera të transformohen gjatë gjithë zhvillimit të ngjarjes.

“Teksti i shkruar nga Zymberi jep shumë mundësi dhe unë kam shfrytëzuar atë mundësinë që më përgjigjet më së miri, dhe unë kam luajtur pak me karakterin kryesor në një mënyrë krejtësisht tjetër. Ky personazh shpërfaq një njeri i cili ka luftuar dhe pastaj ka qenë i burgosur, pa dyshim që duhet të kthehet i traumatizuar, shembuj të tillë ka mjaft në botë. Në këtë shfaqje jemi fokusuar më shumë tek traumatizmi i atij personazhi. Natyrisht që pos kësaj, jemi përpjekur që edhe karakteret e tjera ti quaj kushtimisht, të mos jenë vetëm bardhë e zi po të transformohen gjatë zhvillimit të ngjarjes”, është shprehur regjisori Qosja për KultPlus.

Skenografia e kësaj shfaqje vjen nga Shqipe Kamberi, kurse muzika nga Korab Shaqiri. Lidhur me skenografinë e muzikën, regjisori Qosja tha se kanë arritur të krijojnë një koncept mjaft interesant, pasi që e paraqet edhe personazhin e izoluar në shtëpi, ndërsa është krijuar një koncept që shtëpia të duket si burg.

Dramaturgu Zymber Kelmendi thotë së përmes tekstit të tij si në film, ashtu dhe në shfaqje ka dashur të përçoj mesazhin lidhur me qasjen që ne si popull kemi ndaj të kaluarës tonë, ndërsa shtoi se në fokus të këtij teksti është manipulimi me titujt e dëshmorëve. “Një thënie thotë se nëse ne e harrojmë të kaluarën, kthehemi te pika zero dhe siç duket kjo neve pak po na përsëritet shumë. Ky tekst në një mënyrë trajton manipulimin me titujt e dëshmorëve, pra të njerëzve, të cilët kanë bërë shumë për neve, dhe kur neve na duhen ata, ne thirremi në ta, kur nuk na duhen aq dimë edhe t’i vëmë në harresë të kohës”, tregoi Kelmendi për KultPlus.

Ai tutje shtoi se ndihet i kënaqur me qasjen regjisoriale dhe përkushtimin e aktorëve të cilët po e japin maksimumin për të sjellë këtë shfaqje tek publiku. Kelmendi tha se përkundër suksesit që ka pasur ky tekst në film, qasja autoriale e regjisorit Qosja mundëson që ky tekst të sjellë jo ndryshime në përmbajtje, por të shpërfaqet në një dimension tjetër për publikun dhe të ketë edhe një lexueshmeri më ndryshe.

“Unë jam i kënaqur që unë jam autor i tekstit dhe se këto personazhe janë në duart e një autoriteti siç është Isa Qosja. Ne kemi bashkëpunuar me regjisorin Isa Qosja edhe në fazat e mëhershme të këtij teksti, jemi munduar ta përafrojmë qasjen regjisoriale me atë çfarë përmban teksti, duke qenë se është një zhvendosje prej filmit dhe pasi që mediumi i filmit disa gjëra i toleron më ndryshe, e disa teatri ndryshe”, tregoi Kelmendi. Ai po ashtu thotë se ndihet i kënaqur pasi që jo çdo vepër e huazon vetën në një medium tjetër, ndërsa kjo arrin me një lehtësi më të madhe edhe për shkak të specifikës së filmit që kufizohet në një ambient të mbyllur. Publiku do të ketë mundësi ta shijoj premierën e kësaj shfaqje rreth datës 17 shkurt të këtij viti në Teatrin Kombëtar të Kosovës. /KultPlus.com

Të ngjajshme