Ishte ngjitur në skenë për të zëvendësuar kolegen e lënduar, sot Teuta Krasniqi edhe koreografe

31 Janar, 2018 - 12:30 pm

Teuta Krasniqi është ngjitur në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës në rreth dyzetë premiera të shfaqjeve të baletit. Jo rrallë herë i janë besuar edhe rolet kryesore. Ajo numëron rreth dybëdhjetë vite të rrugëtimit të saj me trupën e Baletit Kombëtar të Kosovës, e kjo përvojë së bashku me balerinët e kësaj trupe, e bashkëpunim me koreografë vendas e të huaj, e kanë lehtësuar rolin në të cilin ajo po sfidohet këtë vit për të parën herë.

Gili Hoxhaj

“Pa mure”, quhet shfaqja me kereografi të Teuta Krasniqit, shfaqje me të cilën trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës do ta hap këtë vit.

‘’Pa mure’’, do të sjellë në skenë njëzetë balerinët e trupës së baletit. Në këtë shfaqje moderne, tashmë kereografja e re, Teuta Krasniqi përmes mureve lëvizese ka simbolizuar problemet me të cilat përballet Kosova, e përmes lëvizjeve ajo shpërfaq përpjekjet e vazhdueshme për të zhdukur ato pengesa. Mes këtyre mureve, krejt në fund vjen një dritë shprese për t’i rrëzuar këto mure, ashtu sic janë tejkaluar edhe shumë barriera në të kaluarën.

Trajtimi i një temë të tillë ka nisur shumë herët, e është zhvilluar vazhdimisht brenda imagjinatës së balerinës Teuta Krasniqi. Ideja e saj është e bazuar kryesisht në një problematikë, e cila e ka preukopuar atë që kur ajo arrin të dëshmoj dicka, duke u bazuar në kujtimet e saj të hershme. Kjo lidhet me kohën e luftës, e të pasluftës, në një pikë prek gëzimin e Teutës në momentin e kthimit në Kosovën e pasluftës. Fjala liri kishte qenë gëzimi kryesor që ka karakterizuar fëmijërinë e saj, andaj si e re kishte guxuar që verberisht të besoj në një liri vërtetë ideale. Me kalimin e kohës, ajo përballet gjithnjë e më shumë me realitetin e një vendi të izoluar, ku shpresat shuhen shumë lehtë. Madje këtë reflektim artistik të saj, e kishte nxitur edhe më shumë fakti që edhe pas dhjetë viteve pavarësi, vendi i saj mbetet pa liri të lëvizjes. Të rinjt ndodhen me pak hapësirë për t’i shprehur aftësitë e energjinë e tyre këtu, e synimet e tyre për t’i prezantuar ato jashtë vendit rëndom mbesin të parealizuara.

‘’Ideja ka lindur nga krejt ky gëzim, dhe kjo bindje si e re dhe naive që këtu nuk do të ketë më probleme. Por tani edhe pas kaq shumë vitesh ‘’liri’’, prapë se prapë ne si vend jemi të izoluar, përvec kësaj, tani edhe dhjetë vite më pas, si një shtet i pavarur ne ende nuk mund të lëvizim diku lirshëm ose duhet të përballemi me shumë përpjekje deri në marrjen e një vize, e shpesh me shumë dëshprim e tejkalojmë momentin kur viza na refuzohet’’, u shpreh balerina Krasniqi për KultPlus.
Ajo thotë së faktorët për këtë ceshtje mund të varen nga ne, apo edhe jashtë nesh, por synimi i saj dhe konceptit të shfaqjes nuk është ti drejtohet gishti drejt gjetjes së fajtorit, por duke i shpërfaqur këto probleme synon të reflektoj dicka tejet pozitive, se nuk duhet ta humbasim shpresën për një të ardhme pa mure.

Rolet e saj, e përkushtimi në punë, e kanë dëshmuar shpesh kapacitetin e saj artistik. Megjithatë, ajo nuk ishte rritur duke e ushqyer ëndrrën për balerinë.Teuta është rritur në një familje mjekësh, e ky kishte qenë edhe synimi i saj profesional. Pasi që ajo nuk pranohet në këtë drejtim, shkon e bëhet pjesë e drejtimit teorik të shkollës së muzikës ‘’Prenk Jakova’’. Gjatë gjysëmvjetorit të parë sa ishte pjesë e këtij drejtimi, ajo ka shfrytëzuar shpesh pauzat e orëve mësimore për të ndjekur provat e gjeneratës së parë të Trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës. Profesori i atëhershëm, tani edhe një përkrahës i madh i balerinës, Ahmet Brahimaj, i kishte bërë asaj ftesën që t’u bashkohet nxenësve të tjerë në prova, të cilat kishin shërbyer si nxitje që Teuta t’i bashkohet nxenësve të tjerë të këtij drejtimi.

‘’Fillimisht vetëm i imitoja të tjerët se si i mbanin duart, profesori ndonjëherë i përmirësonte duart por më shumë jam mësuar duke e parë për së afërmi punën e të tjerve’’, ka treguar Teuta lidhur me eksperiencën e parë drejt rrugës së baletit.

Lëndimi i njërës nga koleget e saj e kishte nxjerrë për herë të parë Teuten në skenë, para diplomimit dhe para se t’i bashkohej Trupës së BKK-së. Sot, shumë vite më pas ajo thotë se e ka gjetur vetën në shfaqjet moderne, ku edhe i janë besuar në shumicën e rasteve rolet kryesore. Me mjaft stres e përgjegjësi, ajo po e bart mbi supe rolin e kereografës, mirëpo thotë se punën e kësaj shfaqje po e bën më të lehtë pëkrahja e madhe e kolegëve me të cilët ajo e ndan tash e një dekadë pervojë. Teuta thotë se përkundër peshës së këtij roli, guximi i saj është i bazuar më shumë tek pervoja që ndanë tash e sa vite me kereorgafët vendas e të huaj, dhe thotë se kjo eksperiencë i ka shërbyer më shumë se sa që ndoshta do të mund t’i sherbente studimi i kereografisë. Me intensitet të njejtë, Teuta së bashku me trupën e BKK-së tash kanë edhe një javë drejt finalizimit të premierës për publikun.
Të gjithë ata që duan të shohin premierën e parë të Trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës, shfaqja ‘’Pa mure’’ do të prezentohet më 8 shkurt, duke filluar nga ora 20:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës. /KultPlus.com

Të ngjajshme