18 Mars, 2022 - 3:37 pm
Italia do të rindërtojë teatrin e shkatërruar në qytetin e rrethuar të Mariupolit, i cili u bombardua mes konfliktit në Ukrainë.
Ministri i Kulturës, Dario Franceschini njoftoi dje se qeveria italiane ka miratuar propozimin e tij për t’i ofruar Ukrainës burimet dhe mjetet për të rindërtuar teatrin sa më shpejt të jetë e mundur.
“Teatrot e të gjitha vendeve i përkasin të gjithë njerëzimit”, shkroi Franceschini në Twitter.
Sipas kryebashkiakut të Mariupolit, Vadym Boichenko gjatë bombardimit të mërkurën, në teatër ishin strehuar mbi 1 000 civilë.
Rreth 130 persona thuhet se u shpëtuan të enjten nga ndërtesa e bombarduar.
Kievi dhe Moska kanë fajësuar njëri-tjetrin për incidentin. Pala ukrainase tha se bombardimi rus ka qenë i qëllimshëm ndërsa Rusia akuzoi regjimentin nacionalist ukrainas Azov për sulmin.
Sipas zyrtarëve lokalë, rreth 80% e banesave në qytetin e mbrojtur të Mariupolit janë shkatërruar, duke përfshirë 30% të tyre të cilat nuk mund të rindërtohen.
Javën e kaluar, UNESCO bëri thirrje për mbrojtje më të madhe të vendeve të trashëgimisë kulturore në Ukrainë.
“Ne duhet të ruajmë trashëgiminë kulturore në Ukrainë, si një dëshmi e së kaluarës, por edhe si një katalizator për paqen dhe kohezionin për të ardhmen, të cilën komuniteti ndërkombëtar ka për detyrë ta mbrojë dhe ruajë”, tha drejtoresha e përgjithshme e UNESCO-s Audrey Azoulay./ KultPlus.com