6 Prill, 2022 - 10:22 pm
Flonja Haxhaj
Mbrëmë në Teatrin Kombëtar të Kosovës u shfaq premiera e dramës ‘Kuartet’ e autorit gjerman ‘Heiner Müller’ e cila u soll për herë të parë në shqip nga regjisori, Alban Beqiraj, përcjell KultPlus.
Shfaqja e cila ka në qendër aktorët Afrim Kasapolli dhe Aurita Agushi përshkon konfigurimin dual të dy personazheve antagonistë që përmes një dramaturgjie të hapur dhe lojës së dyfishtë shpalosin historitë dhe kujtimet e tyre përgjatë relacionit kohor: Sallon borgjez para Revolucionit Francez dhe Bunker pas Luftës së III-të Botërore.
Drama tragjikomike, e cila mbajti publikun për një orë nën emocione të përziera trajton historinë e konfliktit të Merteuil dhe ish të dashurit të saj Valmont, të cilët reflektojnë mbi kohën e humbur, kujtesën, marrëdhëniet historike, trupin, pushtetin, seksualitetin, që tashmë janë ngurtësuar në mite pakohë.
Se çka trajton pikërisht kjo shfaqje, për KutlPlus foli vetë regjisori, Alban Beqiraj.
“Teksti trajton fatin e dy personazheve, bazuar paraprakisht tek romani „Les Liaisons dangereuses“ të autorit Laclos, i shkruar përgjatë revolucionit francez, ndërsa autori Muller e fragmenton, e shtrinë në dy periudhave kohore, në mes të revolucionit francez dhe Bunker pas Luftës së III-të Botërore” – thotë regjisori Beqiraj i cili më tutje shprehet se aktorët kanë më shumë kohë para një revolucioni dhe pas një lufte të tretë botërore që të reflektojnë për momentume historike.
“Drama që e shfaqin aktorët nuk është e lokalizuar në një rrethanë dramatike, por e përshkon historinë në çaste të caktuara dhe në momente të caktuara kur reflektojnë për të kaluarën, për të ardhmen, për tema të ndryshme, aty mbërrin të tematizohet edhe teatri, ku në këtë fragmentim preket edhe figura e aktorit, në këtë rast, në shenjë të 50-vjetorit të aktorit Afrim Kasapolli, e kam përdorur këtë relacion për të pasur mundësi që edhe ai të kalojë nëpër këto refleksione, nëpër të kaluarën e tij ku luan role të ndryshme, zhanre të ndryshme, stile të ndryshme të teatrit.”- deklaron ndër të tjerash Beqiraj.
Përveç aktorëve Arsim Kasapolli dhe Aurita Agushi, të cilëve regjisori ua besoi rolet kryesore, në skenë u paraqitën edhe dy aktorët e tjerë, Ermal Sadiku dhe Agon Bala. E për KultPlus regjisori Beqiraj komenton përzgjedhjen e këtyre aktorëve.
“Si fillim e kam ditë që do të punoj me Afrim për shkak që në kuadër të repertorit të sivjetmë, dy tekste ishin paraparë që të punohen me Enver Petrovcin dhe Afrim Kasapollin, ndërkohë gjetëm edhe Auritën dhe dy të tjerët. Teksti i ka vetëm dy personazhe, në këtë rast, janë dy njerëz që bëjnë historinë dhe dy të tjerë që luhen nga po të njëjtët aktorë, e që janë viktima të tyre që nuk shfaqen në skenë por luhen nga personazhet”- thotë Beqiraj.
Pas shfaqjes, aktorja Agushi thotë se e ka njohur këtë tekst edhe më herët dhe e ka parë në Bosnje 20 vite më parë, mirëpo, ajo shprehet se ka qenë sfiduese për të kur pranoi ta luajë vetë.
“Ka qenë një tekst sfidues për mua, posaçërisht Markeza, pastaj kur më ftoi Albani me e lujt nuk kam hezituar për asnjë moment sepse kam mendu që ky tekst, pikërisht ky tekst kaq i thellë dhe kaq i njohur e i luajtur në botë e inskenuar prej regjisorëve shumë të mëdhenj nëpër botë, më jep mundësi me i shty limitet e mia si aktore më tutje”- deklaroi ajo.
Agushi më tutje komenton edhe bashkëpunimin me aktorin, Afrim Kasapolli, i cili sivjet shënoi 50-vjetorin e karrierës.
“Ne njihemi shumë moti me Afrimin, kemi punuar edhe më parë bashkë edhe në projekte të tjera. Ka qenë kënaqësi dhe nder për mua që të jemi bashkë në një projekt me të, ku ai shënon edhe 50-vjetorin e karrierës së tij si aktor.” – u shpreh Agushi për KultPlus.
Përveç në Teatrin Kombëtar, shfaqja ‘Kuartet’ pritet të udhëtojë edhe nëpër skena të tjera të të teatrove shqiptare./ KultPlus.com