Jepet shfaqja ‘Kopshti i Hijeve’ e bazuar në historinë e familjes së Saranda Bogujevcit, Ministri Çeku: Simbolizon fuqinë e një gruaje të pamposhtur

14 Tetor, 2023 - 1:54 pm

Është dhënë para publikut shfaqja “Kopshti i Hijeve”, e cila është e bazuar në historinë e familjes së Saranda Bogujevcit, e cila u masakrua nga forcat serbe në luftën e vitit 1999, shkruan KultPlus.

Shfaqjen nga afër e ka ndjekur edhe Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, të dhënë në Teatrin e Podujevës  nga trupa e Teatrit të Gjilanit.

Ministri Çeku përmes një postimi në facebook ka thënë se shfaqja simbolizon fuqinë e Sarandës një gruaje të pamposhtur, e cila është shembull për forcën e saj, e cila përkundër asaj çfarë ka përjetuar, po vazhdon të kontribuojë për një të ardhme më të mirë të vendit.

“Një e vërtetë e tmerrshme në formë arti. Një histori dhimbjesh në skenën e Teatrit të Podujevës, portretizuar me mjeshtëri nga trupa e Teatrit të Gjilanit.

“Kopshti i Hijeve” me autore Sarah Hehir dhe regjisore Natazja Domaradzka, ritregoi historinë e familjes Bogujevci. Rishfaqi guximin e Sarandës, Jehonës dhe Fatosit, fëmijët e parë në botë që dëshmuan në një gjykatë për mizoritë e kryera nga forcat serbe në Kosovë.

Shfaqja mbi të gjitha simbolizon fuqinë e një gruaje të pamposhtur, Sarandës, e cila nuk njeh kompromis në kërkimin e drejtësisë, duke na dëshmuar se asnjë akt nuk mund të shuaj dëshirën e njeriut për të kontribuuar për një të ardhme më të mirë për vendin”, thuhet në postimin e Ministrit Çeku/KultPlus.com

Të ngjajshme