Kadare: Shqipëria i vetmi vend në Europë, që nuk ka një ngrehinë teatri, të denjë për këtë emër

25 Tetor, 2018 - 10:05 am

Tashmë, për çështjen e Teatrit Kombëtar ekziston dhe një qëndrim i Kadaresë. Ai shkon krah gjykimit të Ramës mbi atë çfarë përfaqson ajo godinë, ndonëse si opinion është i pak viteve më parë.

“Dramaturgjia përbën pjesën më të papërfillshme në letrat shqipe. Nga ana e saj, jeta teatrale nuk ka shkëlqyer kurrë në këtë zonë të Ballkanit. Shqipëria është i vetmi vend në Europë, që nuk ka ende një ngrehinë teatri, të denjë për këtë emër.

Teatri Kombëtar i sotëm, ish-Teatri popullor i kohës së komunizmit, i cili quhej dikur kinema Kosova, nuk ka qenë veçse një ndërtesë e përkohshme, nga ato që ushtria italiane i përdorte për zbavitjen e trupave të saj.

Për një habi, që në pamje të parë ngjan e pashpjegueshme, faktorët proteatrorë në Shqipëri janë të barabartë me ata kundër teatrorë. Duket sikur nga përplasja e tyre nuk mund të kishim veçse këtë tokë të askujt…”, shkruan Kadare.

Ky qëndrim i tij i përket parathënies së veprës “Drama e një lideri”, kushtuar Mid’hat Frashërit, shkruar në vitin 2008.

Këto fjalë të Kadaresë që vijnë në kohën e një përplasjeje të madhe artistiko-politike për fatin e Teatrit Kombëtar, u “zbuluan” gjatë promovimit të serisë Vepra të Zgjedhura të Mid;hat Frashërit, ku i pranishëm ishte dhe vetë shkrimtari i njohur./ KultPlus.com

Ismail Kadare

Të ngjajshme