19 Dhjetor, 2023 - 5:30 pm
Më 16 dhjetor në një numër të madh para publikut u shfaq shfaqja “Arrëthyesi” nga Baleti Kombëtar i Kosovës, shkruan KultPlus.
Drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës Sinan Kajtazi, përmes një postimi në “Facebook”, ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit në këtë shfaqje, duke thënë se ishte njëri ndër projektet më sfidues të BKK-së.
Postimi i plotë:
“Të nderuar miq,
Falë një pune të jashtëzakonshme të balerinëve tanë, koreografit, orkestrës së Filharmonisë së Kosovës, kostumografes, skenografes, fëmijëve të baletit, fëmijëve të korit, realizueseve të kostumeve, stafit teknik-artistik dhe të gjithë atyre që në çfarëdo forme kanë qenë të përfshirë në këtë projekt, kemi arritur që në datat 16 dhe 17.12.2023, të realizojmë një nga shfaqjet më të rëndësishme të repertorit botëror klasik.
“Arrëthyesi” është projekti më sfidues që BKK ka arritur të përgatis për 51 vite histori dhe duke marrë në konsideratë edhe interesimin e publikut, kjo shfaqje do të jetë në repertorin e BKK në dhjetor të çdo viti, siç e kanë të gjitha trupat e baletit nëpër botë.
Dua të falënderoj Ministrinë e Kulturës, të cilët duke kuptuar përmasat e këtij projekti, na kanë mbështetur në vazhdimësi në raport me kërkesat tona për realizim sa më të mirë të shfaqjes.
Falënderim të sinqertë edhe për Këshillin Drejtues të Baletit Kombëtar të Kosovës, të cilët i kam mbështetje përherë!
Ndjehem shumë krenar me punën e balerinëve të Baletit Kombëtar të Kosovës!
Shihemi në projekte të tjera!”, shkruan Kajtazi. /KultPlus.com