30 Nëntor, 2023 - 7:31 pm
Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit do të sjellë së shpejti për artdashësit, operën “Carmen”.
Muaji dhjetor do të vijë me dramën e jetës së një gruaje, e cila sfidoi rregullat shoqërore dhe shpërfilli traditat e asaj kohe, duke hapur kështu Kalendarin Artistik të muajit dhjetor, me një nga kryeveprat e operistikës botërore.
“Carmen” është vepër e Georges Bizet, e cila kapërceu kufijtë e teatrit tradicional dhe preku zemrat e artdashësve.
Historia fillon në qytetin e Seviljes, ku një ushtar fisnik, Don José, takon Carmen-in, një vajzë pasionante dhe e lirë, e cila provokon ndjenjat e Don José-s, duke pasuar një zinxhir ngjarjesh që do të tronditin rregullat shoqërore dhe do të çojë në fatin e keq të të dy protagonistëve.
Cili është çmimi i lirisë? Kjo është një nga pyetjet ekzistenciale që spektatori do të ngrejë ndërsa do të shohë këtë shfaqje, e cila do të vihet në skenë në datat 8, 9, 10 dhe 11 dhjetor, në TKOB./atsh/KultPlus.com