26 Shkurt, 2025 - 2:00 pm
Teatri Kombëtar, në përmbyllje të muajit shkurt, publikoi në rrjetet sociale kalendarin e shfaqjeve për muajin mars.
Shfaqja që do të çelë aktivitetet e TK për marsin do të jetë “Karnavalet e Korçës” me regji nga Erion Isai, e cila do të vihet në skenë për 4 netë me radhë, duke filluar nga 27 shkurti.
Risjellja e veprës “Karnavalet e Korçës” vjen si një rreth i madh vicioz bullizimi, deprimimi social, viziv, vritual, shoqëror dhe ekonomik. Vepra i sheh karnavalet si forma e një shoqërie që merr formën e enës ku hidhet, ku bullizimi familjar, ekonomik e social përplas personazhet me njëri tjetrin, duke prodhuar farsën e komedisë, e në ketë rast edhe të operetës.
Në datat 7-9 dhe 13-16 mars, rikthehet në skenën e Teatrit Kombëtar, shfaqja “Faust” me regji të Davide Iodice, e duartrokiktur gjatë nga publiku edhe në vëniet e tjera në skenë.
Ndërsa shfaqja e regjisores Driada Dervishi, e titulluar “15 ditë prilli” do të shfaqet në 20-23 mars, pas premierës absolute që do e ketë në Teatrin e Durrësit “Aleksandër Moisiu”. Shfaqja bazohet mbi romanin e të mirënjohurës Anisa Markarian. Në të interpretojnë Yllka Mujo, Hervin Culi, Alessia Xhemalaj, Romir Zalla, Suela Bako, Mim Marjanaku, Sanije Hoti, Amos Zaharia, Adelina Muça, Xhuliano Brisku, Aleksandër Seitaj, Jaho Guma./ KultPlus.com