27 Mars, 2018 - 11:23 am
Sot më 27 Mars, pikërisht në Ditën Botërore të Teatrit, Teatri Kombëtar i Kosovës ka filluar provën e parë për shfaqjen “Kaligula” nga Alber Kamy në regji të Kushtrim Koliqit.
Shpesh konsiderohet si drama më e fuqishme e Kamysë e cila në qendër të saj ka Perandorin romak që udhëhoqi Romën e që njihet në histori për çmenduritë dhe mizoritë e tij. Drama “Kaligula” është një kryevepër e artit teatror e cila pritet të vijë në maj të vitit 2018 si Premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës.
Kjo dramë mbetet aktuale për teatrin dhe mendimin e sotëm botëror, kjo ndodh sepse në kohën e pabarazisë dhe të mjerimit, në kohën e shkeljes së të drejtave të njeriut dhe të lirisë, vetëm revolta dhe gjendja e njeriut në revoltë të përhershme mund ta shpëtojë një shoqëri, duke sjellë ndryshimin apo progresin e vazhdueshëm të saj. Është një temë universale, për gjithë shoqërinë njerëzore, për të gjitha sistemet, pasi nuk është fjala vetëm për revoltën ndaj diktaturave, por edhe për demokracitë e reja, ku demokracia për tu afirmuar çdo ditë, ka nevojë dhe për revoltën, ka nevojë për një revoltë qytetare kundër gjendjes absurde që na rrethon, që kërkon gjithnjë ndryshimin dhe përsosjen e sistemit demokratik. Ky mesazh i Kamysë vlen dhe për shoqërinë tonë së cilës shpesh i mungon shpirti dhe koncepti i revoltës qytetare, madje edhe kur na preken të drejtat dhe liritë themelore të jetës dhe ekzistencës sonë.
“Kaligula” është projekti i parë i skenës së madhe i propozuar nga Udhëheqësi Artistik Agon Myftari dhe i aprovuar nga Këshilli Drejtues i TKK-së për vitin 2018. Sonte gjithashtu, përveç fillimit të një procesi të ri, TKK shënon 27 Marsin, pra ditën botërore të teatrit edhe me një reprizë të shfaqjes “Të harruarit” me koncept dhe regji nga Shkurtë Aliu me ç’rast lexohet mesazhi i ditës botërore të teatrit. Trupa e shfaqjes “Kaligula” përbëhet nga: Regjisor: Kushtrim Koliqi, Dramaturge: Jazna Zmak, Skenografia: Petrit Bakalli, Kostumet: Njomza Luci, Kompozitor: Trimor Dhomi, Ass. Regjie: Rebeka Qena
Ndërsa në kastën e aktorëve bëjnë pjesë: Melihate Qena, Ard Islami, Adrian Morina, Gresa Pallaska, Shkelzen Veseli, Ylber Bardhi, Besart Sllamniku, Armend Baloku, Allmir Suhodolli./ KultPlus.com