“Kamarja e Turpit” reflektim mbi realitetin e sotëm, kryqëzimit të njerëzve që kanë mendim ndryshe

21 Mars, 2024 - 12:35 pm

Vjollca Duraku

Në sallën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, një ndriçim i pazakontë u bë fjalëkalimi për një udhëtim të rrallë në kohë – “Kamarja e Turpit” e autorit Ismail Kadare u shfaq nën dritën e reflektorëve, duke përjetësuar një realitet të errët të Perandorisë Osmane. Në këtë interpretim të jashtëzakonshëm, regjisori Kushtrim Koliqi dhe dramaturgia Doruntina Basha i kishin dhënë jetë dhe ngjyrë një teme të përjetshme: pushtetit dhe formës së tij të egër për të qenë në piedestal, shkruan KultPlus.

Nisur nga një ngjarje e lashtë, ku prerja e kokës ishte dënimi për tradhti, historia e “Kamares së Turpit” shtrihet në kohën tonë duke reflektuar realitetin e sotëm. Duke filluar me ngjarjen historike dhe shtrirjen e saj në kohën e Ali Pashë Tepelenës në vitin 1822, romanin e Ismail Kadaresë e ndërtuan për skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe në këtë version të shfaqjes, prerja e kokës nuk është thjesht një akt brutal, por një akuzë për tradhti, një mjet i përdorur për të linçuar publikisht dhe për të propaganduar mes masave.

Në shfaqje paraqitet koha kur perandoria osmane ishte dobësuar dhe pak para rënies, për të mbajtur veten në piedestal, sulltani vendos që “tradhtarëve” të perandorisë t’u prehej koka dhe tu vendosej në kamare në sheshe si shenjë turpërimi për të përhapur frikë e terror edhe te kundërshtarët por edhe te populli, në rast të mosbindjes ndaj pushtetit.

Kjo formë e dënimit vazhdon të paraqitet edhe sot në kohën tonë, veçse jo me prerje kokash si dukur por me linçime dhe turpërim përmes rrjeteve sociale dhe aparateve të ndryshme të kohës, ku grupe dhe etni të ndryshme ‘kryqëzohen’ kur nuk i binden qoftë rregullave të pushtetit apo të shoqërisë.

E gjithë ngjarja që herë shkon 500 vite para, e herë zhvendoset në ditët e sotme, zhvillohet mbi një def, i cili herë paraqitet si formë propagande për të përhapur lajmet e kohës, herë si ngazëllim i personave besnik të perandorisë për aktet e dhunshme që ishin bërë të zakonshme gjoja në emër të “tradhtisë”, e herë për të paraqitur vogëlsinë e gjithë individëve të tjerë krahas pushtetit dhe njerëzve me autoritet.

Nëpërmjet rolit të Abdullahut (Adrian Morina) shpërfaqet një person i thjeshtë i cili ishte ruajtës i kokave të prera nga pushteti dhe e kishte të pamundur ikjen nga realiteti i tmerrshëm i kohës, i cili në fakt e pëson edhe më keq se vetë ata që dënoheshin me ekzekutim, pasi në personalitetin e tij kjo formë bizare e dënimit i shkatërron personalitetin e tij duke i shpërfaqur komplekse të ndryshme deri te ajo se gjatë kënaqësisë së tij seksuale ai paramendonte kokat e prera të ‘tradhtarëve’ të perandorisë.

Ky rol plotësohej tutje nga Tunxh Hatait (Armend Smajli) i cili paraqiste xhelatin, një i deleguar nga perandoria osmane në ndjekje të atyre që nuk u janë bindur pushtetit. Ai shkon deri në atë pikë sa për t’u ngritur në detyrë dhe për t’i qëndruar besnik oborrit të sulltanit, prerja e kokës i ishte bërënjë akt i rëndomtë, duke shkuar në ekstremitete duke dashuruar viktimat e tij, duke i puthur dhe duke u pirë gjakun e tyre.

Por kishte edhe të tillë që i ishin kundërvënë pushtetit duke dashur të ishte një Skënderbe i dytë. Ky ishte Ali Pashai (Mustafë Muqaj), një rebel shqiptar 80 vjeçar i cili përndiqej nga perandoria osmane. Krahas autonomisë që ai kishte fituar në raport me pushtetin e lartë perandorak, paraqitej me një dëshirë për të qenë udhëheqës i vendit i cili për t’i plotësuar nevojat e tij e kishte integruar një zakon osmanli, duke pasur në krahë një vajzë rreth 60 vite më të re. Por që në fund vritet.

Ndërsa dyshja që paraqiteshin gjithkund sëbashku, Sulltani dhe PR ekspertja (Ylber Bardhi dhe Gresa Pallaska), shpërfaqnin marrëdhënien e pushtetit dhe propagandës. Pra në kuptimin se një person me autoritet i cili udhëheq masën i duhet PR dhe propagandë për të ruajtur stabilitetin e vet. Mirëpo në kohën e rënies dhe kur nuk ka më se kujt t’i lihet faji për dështimin e një pushteti të caktuar, udhëheqësit zgjedhin të ekzekutojnë edhe personin më të afërt të tyre.

Kjo lojë për pushtet e cila zhvendoset herë në Perandorinë Osmane e herë në Shqipëri, paraqet frikë, linçime, kërcënime, likuidime, eliminime, vetëvrasje, urdhra, zbatime, e hierarki në emër të famës dhe pushtetit.

Kjo formë është evidente edhe sot në kohën tonë, kur për qëllime të ruajtjes së statusit ka eliminime apo rrënime të karrierës për mosbindje nga persona autoritarë, përmes linçimeve që u bëhen personave partiakë, apo edhe nga shoqëria ndaj njerëzve me zgjedhje të pavarura për përkatësi politike, gjinore, fetare etj.

Shfaqja u mirëprit shumë mirë nga publiku, çka e dëshmuan me duartrokitjet e tyre e këtë e kishte ndjerë edhe regjisori Kushtrim Koliqi, i cili pas përfundimit të shfaqjes në një prononcim për KultPlus, tha se ndihej i lumtur pas reagimeve që kishte marrë nga audienca për shfaqjen, por që e tërë kjo erdhi pas një pune intensive por me një energji shumë pozitive.

“Ç’është e vërteta kemi punuar shumë gjatë për këtë shfaqje. Fillimisht kemi punuar në procesin e shkrimit të dramës, pastaj kemi punuar shumë edhe për përzgjedhjen e bashkëpunëtorëve qoftë kreativë, qoftë teknik si brenda dhe jashtë Kosovës. Pastaj kemi filluar procesin e provave që ka qenë një proces i gjatë, por shumë pozitiv, në aspektin e energjisë dhe në aspektin e rezultateve. Unë sa vërejta prej energjisë së audiencës, reagimi ishte shumë pozitiv, mirëpo tash duhet me i pyet edhe ata që me u tregu pak modest. Por besoj që krejt puna jonë si në aspektin estetik por edhe në aspektin e agjendës që kemi pasur në shfaqje ka komunikuar me publikun”, ka bërë të ditur regjisori Koliqi.

Më tej Koliqi tha se së bashku me regjisoren Doruntina Basha janë munduar të krijojnë një shfaqje me zhanër dhe sisteme të ndryshme me idenë për të ngacmuar audiencën qoftë duke e bërë për të qeshur, për ta relaksuar, tronditur,  qajtur apo irrituar. Sipas tij,  “Kamarja e Turpit” e trajton një çështje shumë specifike që i flet shumë kohës sonë.

“Në qoftë se në kohën e perandorisë Osmane i është prerë dikujt koka për t’iu vendosur në shesh të Stambollit, qoftë për t’i alarmuar kundërshtarët politikë apo kundërshtarët e perandorisë apo qoftë edhe si atraksion turistik, sot ne në baza ditore kryqëzojmë politikanë, njerëz, gra, grupe të margjinalizuara etnike, seksuale vetëm pse ne nuk pajtohemi me zgjedhjet e tyre qoftë në aspektin e mendimeve qoftë edhe në aspektin e zgjedhjeve individuale personale”, ka thënë Koliqi duke e treguar edhe mesazhin thelbësor të shfaqjes që sipas tij është pikërisht ideja se nuk duhet kryqëzuar njerëzit vetëm pse nuk kanë mendim të njejtë si ti apo zgjedhje të njëjta.

“Kjo është fatkeqësisht jo vetëm në Kosovë si vend jo shumë i zhvilluar, por edhe në vendet shumë të zhvilluara në Evropë dhe në Amerikë. Pra nxitja kryesore dhe mesazhi i shfaqjes është që në qoftëse unë nuk pajtohem me ty nuk do të thotë që duhet me të kryqëzu, qoftë në aspektin e karrierës, qoftë në aspektin ndaj bindjeve të juaja, vlerave të juaja që ti i pranon vetë”, ka përfunduar Koliqi.

Ndërsa dramaturgia Doruntina Basha po ashtu në një prononcim për KultPlus rrëfeu procesin e shkrimit deri te produkti final i cili u paraqit para publikut pak çaste më parë.

“Ideja ka qenë të nxjerrim elementin politik të veprës, për shkak se “Kamarja e Turpit” është vepër kryekëput politike e Ismail Kadaresë, trajton momentet e ndjeshme dhe të dobëta të perandorisë Osmane, pra të një pushteti që në këtë rast ishte perandoria Osmane në kohë  të dobësimit dhe para fillimit të rënies. Sigurisht që kur pushteti fillon të bjerë atëherë fillojnë edhe këto tentimet për të ruajtur veten në piedestal përmes propagandës”, është shprehur dramaturgia Basha.

Punën për të shndërruar një vepër letrare në një prodhim artistik skenik, Basha e ka quajtur sfiduese sepse sipas saj vepra nuk ka një personazh kyç, sepse në momentin kur ka një personazh kyç atëherë e përcjellë fatin e atij personazhi.

“Këtu janë disa personazhe të cilat në momente të ndryshme të rrëfimit paraqiten në pjesë të ndryshme gjeografike, dhe sigurisht që kjo ka qenë sfida kryesore për shkak se një narrativë dramatike për skenë e kërkon një lloj strukture që e ndjek një linjë dhe një logjikë të personazhit dhe mandej kam vendosur që të fokusohem në këtë fragmentaritet dhe ajo me qenë edhe struktura e dramës. Do të thotë elementet fragmentare me i përdorë në dobi të dramës”, tha Basha ku tutje tregoi se si ndryshim mes veprës së Kadaresë dhe shfaqjes, ajo e kishte vendosur si shtojcë PR-Eksperten që u luajt nga Gresa Pallaska.

“Ky personazh nuk ekziston te libri “Kamarja e Turpit” mirëpo ekziston te e gjithë linja e PR në një farë forme sepse vetë libri “Kamarja e Turpit është një lloj PR, një lloj publiciteti. Kështu që nevojitej me ekzistu një lloj personazhi i cili e bartë atë linjë. Dhe prej aty edhe ka lindë PR-Ekspertja në mënyrë për të konkretizuar pak edhe veprimin propagandistik të pushtetit”, ka thënë Basha.

Ndërsa për aktorin Adrian Morina eksperienca e tij në rolin kompleks të Abdullahut e kishte bërë të përjetonte emocione të fuqishme.

“Kaluam jashtëzakonisht mirë. Gjithmonë për aktorin është gati eksperiencë e re secila shfaqje, secili rol që e bën. Për këtë proces që jashtëzakonisht ka qenë i vështirë, them se jam jashtëzakonisht i lumtur me pritjen që publiku ia bëri shfaqjes edhe me punën e madhe që e ka bërë një ekip shumë i madh i njerëzve të angazhuar rreth këtij produksioni. Jam krenar që kjo shfaqje po ndodh në Teatrin Kombëtar të Kosovës”, është shprehur Morina.

Aktori i mirënjohur, më tej duke e paraqitur edhe kompleksitetin e këtij roli të cilin fillimisht kishte hezituar ta pranonte, tha se thashmë gjendej në një fazë kur nuk kërkon më të luaj role të tjera por të ketë sfida të reja për të tejkaluar kufijtë personal.

“Roli i Abdullahut është rol shumë i vështirë dhe kam hezituar fillimisht për të realizuar, për shkak se vjen dhe shpërfaqet gradualisht ashtu siç edhe e patë ju me disa komplekse, me disa gjëra që i ndodhin rrugëtimit të jetës së tij prej raporteve që i ka me rrethin, me bashkëshorten e tij, me vetveten dhe me zërat që i flasin në kokë. Regjisori Kushtrim Koliqi më ka bindur që duhet të jem pjesë e këtij projekti kjo ngase Kushtrimit i besoj pa rezervë, meqenëse kemi realizuar edhe dy- tre shfaqje të tjera shumë të mira bashkë”, përfundoi Morina.

Ju kujtojmë që reprizat e shfaqjes do të jepen edhe në datat 21, 25 dhe 26 Mars, në ora 20:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës./ KultPlus.com

Të ngjajshme