4 Prill, 2019 - 5:00 pm
Gili Hoxhaj
Pamja e eksodit të shqiptarëve drejt Bllacës, do të kthehet pas dy dekadash si manifestim artistik në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Shfaqja “Bryma e vdekjes”, me tekst të Milazim Krasniqit e regji të Burbuqe Berishës, përmes bashkimit të kastës së aktorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës me trupën e Baletit Kombëtarë të Kosovës, tenton të prekë realitetin e asaj kohe. Duke sjellë në memorien e publikut pamjen e një katastrofe humanitare, paraqet banorët e dëbuar nga shtëpitë e jeta e tyre e mëparshme teksa përfundojnë në një kamp famëkeq, ku jetesa e tyre përshkruhet si jetesë mes vuajtjes e vdekjes.
Shfaqja duke prekur përditshmërinë e asaj kohe, tenton të sjellë një perspektivë ku për së afërmi shihet vuajtja e thellë e mijëra njerëzve me jetë të shkatërruara. Gjithçka që vjen përmes shfaqjes ndodhë në zonën kufitare në mes të Kosovës dhe Maqedonisë në vendkalimin e njohur me emrin Bllaca. Ky vend ishte vendqëndrim i detyrueshëm për mijëra civilë shqiptarë, viktima të spastrimit etnik të ushtruar nga Serbia.
Drama “Bryma e vdekjes”, që ka nisur provat para gati dy muajsh, tashmë është pranë finalizimit për premierën që do të mbahet këtë të hënë. Regjisorja Burbuqe Berisha tha për KultPlus se teksti ka qenë përzgjedhje e Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe për të është një nder i madh për të punuar me tekstin e Krasniqit, pikërisht në 20 vjetorin e Bllacës.
“Ka qenë një përvojë shumë e mirë të bashkëpunojë me autorin pasi që teksti bazohet në realen dhe është thuajse fakturë dokumentare”, thotë Berisha për KultPlus.
Aktorët që do të luajnë në këtë shfaqje janë: Valmir Krasniqi, Albulena Kryeziu –Bokshi, Bujar Ahmeti, Teuta Krasniqi, Artiola Hamdija, Blerta Deliu, Afrim Muqa, Naim Berisha, Ismet Azemi, Shpetim Kastrati, Labinot Raci, Xhejlane Godaci dhe Adhurim Demi.
Berisha thotë se për këtë shfaqje ka përzgjedhur aktorë të ansamblit të Teatrit Kombëtar të Kosovës, ndërsa thotë se aktorët e këtij ansambli që i kanë refuzuar rolet e kësaj shfaqjeje, Berisha i ka zëvendësuar me aktorë jashtë kësaj trupe.
“Bashkëpunimi me aktorët ka qenë shumë i mirë dhe pjesë e shfaqjes janë edhe e gjithë trupa e Baletit Kombëtar e Kosovës. Shfaqja deri tani mund të vlerësohet si një proces mjaft i vështirë pasi që tema ka qenë shumë emocional. Përmes regjisë, skenografisë dhe kostumografisë pamjet janë afruar pranë reales ”, ka thënë tutje Berisha.
Krasniqi: Kampi i Bllacës më dukej si skenë teatri, si një tragjedi antike greke
Autori i shfaqjes Milazim Krasniqi thotë se duke qenë dramaturg edhe para kohës së luftës, situatën e Bllacës e kishte preukopuar në nivel personal dhe në nivelin e një tragjedie të popullit, e veçmas si një shëmbëllim i përvojave të hidhura të kampeve të përqendrimit në Evropë. Krasniqi për KultPlus tregoi se duke e kujtuar në retrospektivë atë skenë, ajo i ngjante si një skenë teatri e një tragjedie antike greke, e cila nëse do të vazhdonte shumë lehtë do të mund të shndërrohej në një kamp të vdekjes, pasi që mungonin kushtet elementare të jetesës.
“Duke qenë dramaturg në një rast kam thënë se po me duket se është një skenë teatri, një tragjedi antike greke që po luhej dhe po merrnim pjesë ne dhe gradualisht kështu edhe e kam konceptuar. Versionin e parë të tekstit e kam shkruar në fund të vitit 99 sapo jemi kthyer, botimin e parë, siç e kujtoj e bërë vitin 2001. Kjo dramë ka pas tri botime ose katër, versioni i fundit final është përfshi në veprën “Komplete” të Llogos a dhe ky është versioni i cili do të luhet në teatër”, tha Krasniqi për KultPlus.
Ka më shumë se një dekadë që dramat e Krasniqit nuk kanë qenë pjesë e repertuarit të TKK-së, dhe kjo tërheqje e tij nga jeta kulturore, Krasniqi thotë se ka ndodhur për faktin se biri i tij ka qenë Ministër i Kulturës. Dramat e tij të mëparshme, në skenë të teatrove janë jetësuar nga regjisorët si Luan Daka, Agim Selimi e të tjerë mirëpo kjo është hera e parë që një dramë e tij vjen përmes regjisë se Burbuqe Berishës.
“Burbuqja është ma shumë regjisore e filmit se sa e teatrit, unë e kam përcjellur punën e saj si regjisore edhe si drejtoresh e teatrit, besoj që ka një përvojë të mirë në këtë fushë dhe duke bazuar në këtë, kur më kanë treguar në teatër se ajo do ta bëjë regjinë, unë kam qenë pro pra nuk kam vendosur por e kam miratuar për shkak të përvojës së saj si regjisore. Në teatër, së bashku me trupën dhe regjisoren, kam qenë në provën e dytë të tavolinës ku kam pasur një bashkëbisedim shumë të këndshëm me regjisoren dhe aktorët por jo më tutje. Duke qenë dramaturg i më shumë se 20 dramave e di saktësisht se si mund te alternohen skenat për të ruajtur ritmin dhe dinamikën e shfaqjes, besoj se nuk e ka pasur të vështirë ta venë në skenë”, tha tutje profesori Krasniqi.
“E falënderoj edhe bordin e teatrit dhe menaxhmentin për gatishmërinë sepse kanë mundur të mos e vënë fare, në fakt unë u gëzova kur morra veshë këtë iniciativë për shkak që lidhet edhe me 20 vjetorin e kampit të Bllacës, si një përpjekje për ta kujtuar atë përvojë të hidhur të popullit tonë, për të reflektuar lidhur më të edhe për të bërë atë që bënë në fakt teatri dhe drama që nga Aristoteli e këndej një lloj katarsisi, një lloj spastrimi, një lloj përpjekje për ta largu të keqën prej vetës”, shpjegoi Krasniqi një një intervistë për KultPlus.
Sipas njoftimit të shfaqjes, shpërfytyrimi, tjetërsimi si dhe përulja e qëllimshme e popullatës shqiptare do të paraqiten nëpërmes personazheve të portretizuara me shumë origjinalitet sikur ai i Fitimit, Ademit dhe Havës, Mentorit, Dritës si dhe vajzës së tyre të vogël. Drama është realizuar në atë mënyrë që në fund, tenton të japë një mesazh pothuajse mitik, që të kthen në kohën e krijimit të njerëzve të parë, andaj dhe personazhet kryesore mbajnë emrin Adami dhe Hava, dhe për dramaturgun Krasniqi rikthimi në Kosovën e lirë, ka qenë një përngjasim i fillimit të njerëzimit, të cilët përkundër që kanë lënë mbrapa një realitet plot vuajtje, e kanë gjetur forcën për të përqafuar jetën në një realitet të ri. Përveç vuajtjes, shfaqja tenton të prekë edhe një mesazh tjetër, atë të solidaritetit.
“Është një mesazh tjetër që edhe në kushtet më të rënda njerëzit duhet të jenë solidar me njëri-tjetrin, aty ka skena kur dikush është i sëmurë ose vdes dhe të tjerët përpiqen ta ndihmojnë, ka skena kur një fëmije vuan për bukë dhe dikush i japë për të ngrënë. E kam edhe idenë e njerëzores që edhe në kushtet më ekstreme njerëzit duhet ta ruajnë njerëzillëkun, ta ruajnë integritetin moral dhe dinjitetin njerëzor”, tregoi Krasniqi në një intervistë për KultPlus.
Kompozitor i muzikës do të jetë Florent Bishnjaku, Skenografia është e punuar nga Petrit Bakalli dhe kostumografia nga Albulena Borovci ndëra koreografinë e shfaqjes e ka punuar Sinan Kajtazi.
Shfaqja vjen premierë këtë të hënë më 8 prill, duke filluar nga ora 20:00 në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar të Kosovës / KultPlus.com