28 Shkurt, 2025 - 2:15 pm
U shfaq mbrëmë në Teatrin Kombëtar, komedia “Karnavalet e Korçës” me regji të Erion Isait. Shfaqja do të vihet në skenën e ArTurbina edhe 3 netët në vazhdim (28 shkurt dhe 1, 2 mars).
“Karnavalet e Korçës” nga Erion Isai ka korrur sukses gjatë vënieve në skenë brenda dhe jashtë vendit (Athinë). Ajo ishte vepra më e mirë edhe në Festivalin Mbarëkombëtar të Komedisë “Koko Fest”, në edicionin e tij të 11-të.
Nikollaqi, Olimbia, Afroviti, si dhe personazhet e tjerë u ngjitën në skenë nga një kast aktorësh të përzgjedhur.
Aktori korçar Arben Dervishi, i cili u rikthye në skenë pas 12 vitesh shkëputje ishte në rolin e tregtarit Nikollaq Jorganxhi, aktorja Zamira Kita në rolin e Olimbisë, aktorja Paola Kodra në rolin e Afrovitit.
Shfaqja ngrihet mbi personazhet që krijoi Spiro Çomora: Nikollaq dhe Olimbi Jorganxhi; tregtarë të fuqishëm në Korçë, kërkojnë dhëndër për vajzën e tyre 36-vjeçare, Afrovitin.
Martesa has në pengesat e përzgjedhjes së kandidaturave për shkak të dëshirës pa kompromis së Olimbisë për t’i blerë vajzës piano përveç prikës. Risjellja e veprës “Karnavalet e Korçës” vjen ndryshe; si një rreth i madh vicioz bullizimi, deprimimi social, viziv, virtual, shoqëror dhe ekonomik. / KultPlus.com