26 Mars, 2025 - 3:00 pm
Opereta “Karnavalet” solli një atmosferë festive që në hollin e Teatrit Kombëtar të Operas e Baletit, ku spektatorët u përfshinë në “festën e maskave” duke pozuar me to.
Opereta me muzikën e Avni Mulës, u vu në skenë nga e bija, sopranoja e mirënjohur Inva Mula, e cila kësaj here ishte në cilësinë e regjisores. Shfaqja shumë e dashur nga publiku u soll nga një kast artistësh nga më të mirët e skenës shqiptare. Në skenë u rikrijua imazhi magjik i karnavaleve të Korçës, atmosfera e kalldrëmeve dhe kostumeve të fillim shekullit të kaluar, me situata të sikletshme për personazhet por që shkaktuan të qeshura tek publiku.
Artistët përcollën dramën e çiftit Olimbi dhe Nikollaq Jorganxhi të cilët nuk gjejnë dot një dhëndër dinjitoz për bijën e tyre, Afrovitin.
“Karnavalet” erdhën me dy kaste artistësh, të shoqëruar nga Orkestra Simfonike dhe Kori i TKOBAP-së, të drejtuar nga Elda Laro dhe Dritan Lumshi. Sonte “Karnavalet” do të jenë përsëri në skenën e TKOB.
Opera karnavalet, Foto: Agim Dobi / KultPlus.com