9 Gusht, 2019 - 9:30 am
Katër kompani ndërkombëtare të dizajnit dhe arkitekturës kanë shprehur interesim në konkursin e hapur për zhvillimin e projektit konceptues dhe vizatimeve të hollësishme të ndërtimit të atij që në konkurs është quajtur “Opera dhe Teatri Kombëtar”, shkruan sot Koha Ditore.
Një komision brenda Ministrisë pritet që gjatë kësaj jave të bëjë kualifikimin e tyre për fazën e radhës, ndërkohë që Komuna e Prishtinës nuk është ftuar në konsultime për këtë projekt.
Me konkursin e hapur prej 11 deri më 27 korrik, MKRS-ja i ishte rikthyer pas një dekade projektit të teatrit të operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova” vendosja e gurit themeltar, të të cilit ishte bërë me pompozitet në dhjetorin e 2009-s.
U shpenzuan kot mbi një milion euro. Tash konkursi ndërkombëtar për “zhvillimin e projektit konceptues dhe vizatimeve të hollësishme të ndërtimit për Operën dhe Teatrin Kombëtar në Prishtinë” parasheh vlerën e projektimit 2 milionë euro, ndërkohë që Ministria e Kulturës i ka hyrë këtij projekti me 100 mijë euro buxhet për këtë projekt kapital e duke llogaritur edhe në 500 mijë të tjera nga të hyrat nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.
“Qëllimi i kësaj kontrate është ofrimi i shërbimeve të specializuara arkitekturore dhe inxhinierike për zhvillimin e projektit-koncept dhe vizatimeve të hollësishme të ndërtimit për Operën dhe Teatrin Kombëtar në Prishtinë. Një listë e detajuar e kërkesave për shërbime do të jetë subjekt i dorëzimit vetëm tek Respondentët e Kualifikuar në Fazën I”, shkruhet në konkursin ku nuk përmendet “Dr. Ibrahim Rugova”, siç ishte emëruar Teatri i Operës dhe Baletit. / KultPlus.com