13 Mars, 2018 - 11:29 pm
Qendra Multimedia, sonte, ka mirëpritur adhuruesit e muzikës dhe poezisë, të cilët ishin mbledhur me një qëllim mjaftë fisnik para tyre, për të ndihmuar regjisorin Bekim Lumi. Mbrëmja filloi me poezinë “Të gjithë më duan” të shkruar nga Shpëtim Selmani, kurse u mbyll bukur nga zëri i Rona Nishliut, e cila solli këngën “Baresha”, e shoqëruar nga Ilir Bajri.
Alberina Haxhijaj
Rona Nishliu dhe Ilir Bajri dhanë një performancë të improvizuar, duke sjellë këngë mjaftë të njohura, por në një verzion të padëgjuar më parë e që erdhi pikërisht nga zemra, siç ata e ndjenin dhe për një person që e kanë shumë për zemër.
Këngëtarja Rona Nishliu u shpreh për KultPlus se pavarësisht nga organizimet e ndryshme, të cilat janë në rrafshin e artistëve, ndihma institucionale është shumë e rëndësishme.
“Unë jam pjesë e një grupi të artistëve të cilët bashkërisht kemi organizuar një fushatë të tërë. Nuk e di nëse kjo mjafton ose jo, mirëpo ne po bëjmë përpjeke që përmes gofoundme.com/bekimlumi të sensibilizojmë të gjithë njerëzit të cilët kanë mundësi dhe kanë dëshirë që të kontribuojnë në shërimin e Bekimit”, u shpreh ajo, duke theksuar se procedurat mjekësore janë shumë të shtrenjta dhe të papërballueshme për familjen.
“Jam befasuar me përgjigjen dhe solidarizimin e njerëzve, janë treguar shumë bujar dhe bashkëpunues. Më vjen shumë mirë që kanë bashkëndjerë dhe janë bërë ndoshta pjesë e kësaj rruge shumë të vështirë të Bekimit, dhe bashkë më të, të gjithë ne po mundohemi që ta luftojmë armikun e tij shumë të fortë”, është shprehur Nishliu.
Poezitë nga libri “Në kohën e gjakut dhe zhgënjimit”, të cilat u lexuan gjatë kësaj nate janë të shkruara gjatë periudhës 2010-2017. Libri është i ndarë në tri pjesë, kurse pjesa e katërt përmban letra, të cilat Selmani ua ka kushtuar disa autorëve, personazheve fiktive dhe njerëzve të cilët ai e ka ndjerë se ka diçka për t’u thënë.
Shpëtim Selmani u shpreh për KultPlus se regjisorin Bekim Lumi e admiron për guximin dhe dashurinë që ka ndaj punës së tij dhe kontributin që i ka dhënë kulturës në Kosovë. Tutje ai tregoi se poezia për të është një hapësirë ku ai ndjehet si mbret, ku mund të përballet me të gjithë dhe çdo gjë, hapësirë ku ai ndjehet vetvetja.
“Libri është botuar në vitin 2017 kurse sot është promovuar. Libri me poezi ‘Në kohën e gjakut dhe zhgënjimit’ është se unë konsideroj se periudha 2010-2017 ka qenë një lloj zhgënjimi, i cili na ka mbuluar të gjithëve, dhe poezia ka qenë evidente edhe të unë, pa dashur unë. Përveç poezisë, unë vetëm mundem të lufoj realitetin dhe të krijoj një hapësirë ku unë mundem të ndihem mirë, prandaj është edhe gjaku. Pra poezi është diçka brenda meje”, është shprehur ai, duke theksuar se poezia për të është edhe një lloj mjeti për mbijetesë, mirëpo pa e kuptuar akoma se pse apo si.
Paratë e mbledhura nga kjo natë do të shkojnë në ndihmë për regjisorin dhe profesorin Bekim Lumi, një artist që për vite me radhë ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për skenën artistike dhe teatrale si dhe edukimin e studentëve dhe artistëve të rinj. Ngjarje të tilla janë realizuar gjatë muajit të kaluar, kurse do të vazhdojnë edhe gjatë këtij muaji./KultPlus.com