15 Shtator, 2020 - 2:47 pm
Suada Qorraj
Përpara teatrit kombëtar tashmë ishte vendosur fotoja e Adem Mikullovcit, por ndryshe nga herë të tjera ai ishte vetëm, për të dhënë shfaqjen e tij të fundit, lamtumirën me skenën ku për aq sa jetoj i dha jetë. Krahas fotos para së cilës ishin vendosur lule, qëndronte edhe tavolina e veshur me të zeza, e së bashku me të libri i kujtimeve ku dalë nga dalë filluan të shënoheshin fjalët, kujtimet e ditëve të mira e të këqija, që miqtë, kolegët e artdashësit kishin përjetuar me të, shkruan KultPlus.
Homazhet për të nderuar veprën, jetën, talentin e madhështinë e Mikullovcit, filluan dalë nga dalë, në ditën kur dielli nuk kishte harruar të lindë, por që artit i kishte marrë dritën. Ishte kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ajo që vendosi shkronjat e para në librin e kujtimeve të ikonës së artit kosovar.
Osmani tha se sot kemi humbur një njeri të madh, e jo vetëm të komunitetit artistik, por një njeri të madh të zemrës të secilit qytetar të Kosovës. Ajo theksoi se ishte pikërisht Adem Mikullovci, ai prej të cilit mësuan shumë çka e mbi të gjitha ai prej të cilit, përmes humorit ju bëri më të lehtë tejkalimin e situatave të vështira.
“Sot kemi humbur një njeri të madh jo vetëm të komunitetit artistik. Adem Mikullovci aktroj për publikun, por në të njëjtën kohë e mbrojti interesin publik deri në frymën e fundit. Ishte një bashkëpunëtor i jashtëzakonshëm në Kuvendin e Kosovës, një njeri nga i cili kemi mësuar shumëçka , i cili edhe në kohërat më të rënda e dinte përmes humorit të tejkalohen ato situata të vështira për të gjithë ne”, tha Osmani për tashmë të ndjerin Adem Mikullovci.
Në homazhe ishte e pranishme edhe ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi. Ajo theksoi se ky vit ka sjellë një shprazëti të madhe, ka marrë me vete një gjeneratë e emra kulminant të artit të Kosovës. Dumoshi tha se Mikullovci në kohët më të vështira në familjet e secilit ka sjellë humorin dhe gëzimin.
“Do të ketë një shprazëti shumë të madhe, ka ik një gjeneratë këtë vit disa emra kulminantë të artit të Kosovës, ne do t’i kujtojmë dhe detyra jonë është që këta njerëz të cilët dhanë kontributin e vet për artin e Kosovës, për teatrin dhe fushat e tjera t’i përcjellim te gjeneratat e reja. Në kohët më të vështira ai nëpër familjet tona na ka sjellë shumë herë me rolet e tij të humorit edhe gëzimin, sidomos vitet e 90ta e këndej, kur nuk kishim televizione të cilat punonin por me video kaseta ka qenë prezent në çdo shtëpi”, është deklaruar ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Përgjatë karrierës së tij të madhe e të bujshme si aktor, Mikullovci la pas vete personazhet që sollën hare, gëzim madje edhe pikëllim. Por, krahas këtyre personazheve ai ju la kujtimet më të bukura, kolegëve me të cilët pati fatin të bashkëpunoi. Homazheve për Adem Mikullovcin nuk kishte si t’ju mungonte Shkumbin Istrefi dhe Fatmir Spahiu, artistët që për vite të tëra punuan së bashku me të ndjerin.
Teksa sytë i kishte të mbushur lot, Istrefi deklaroi se humbja e Adem Mikullovcit ishte e madhe për të githë popullin e Kosovës. Ai nuk la pa përmendur faktin që ai ishte rritur me praninë e Ademit në skenën e teatrit. Aktori pohoi se Adem Mikullovci përpos bashkëpunëtor, ka qenë edhe prind që ka përcjellë rritjen e tij artistike.
“Ademi na la dhe kjo është humbje e madhe jo vetëm për komunitetin artistik por edhe për gjithë popullin e Kosovës. Me Ademin jo vetëm unë por edhe gjeneratat më të vjetra jemi rrit, me praninë e Ademit në skenën e teatrit dhe sidomos në programe televizive. Për mua Ademi ka qenë përveç një bashkëpunëtor i ngushtë, ka qenë edhe prind i cili e ka përcjell rritjen time artistike. Hapat e parë në ekranin televiziv i kam marrë në projekte të Ademit dhe e falënderoj shumë për ndihmën që ma ka dhanë jo vetëm mua por krejt gjeneratave të reja të aktorëve të Kosovës”, tha gjatë homazheve Shkumbin Istrefi.
Ai ka shtuar se veprat që la pas Adem Mikullovci janë vulë e kohës, ngase ai ka qenë një opozitë e së keqes. Sipas tij ishte pikërisht Ademi ai që në momentet më të vështira mbajti popullin me humorin e tij të hollë duke ju dhënë në të njejtën kohë edhe forcë.
“Veprat e Ademit mendoj që kanë qenë vulë e kohës, në çdo kohë që ka punuar. Ka qenë opozitë e të keqes. Në momentet e vështira e ka mbajtur popullin me humorin e tij të hollë. Pushoftë në paqe dhe shpresoj që vepra e tij do të jetë pishtar për punën tonë të mëtutjeshme”, ka përfunduar Istrefi.
Kurse Fatmir Spahiu tha se Kosova sot ka humbur Çaplinin e saj, figurën komike e tragjike. Ai ka shtuar se ka humbur një nga bashkëpunëtorët e tij më të mirë dhe se ikja e Ademit ka shënuar varfërimin e komedisë.
“Kosova ka humbur Charlie Chaplinin e vet, figurën e vet edhe komike edhe tragjike. Personalisht kam humbur njërin prej bashkëpunëtorëve më të mirë të atij brezi. Adem Mikullovci ka qenë ndër profesionistët e parë, me të cilin unë kam pasur mundësi të bashkëpunoj qysh në moshën time 18 vjeçare, si aktor shumë i ri dhe student i aktrimit. Kosova dhe skena filmike, televizive dhe teatrove nuk do të jetë më e njëjtë. Komedia do të jetë më e varfër pa Adem Mikullovcin”, ka deklaruar Spahiu.
Edhe për artisten Arbnesha Grabovci -Nixha, humbja e ikonë së artit ka qenë një lajm i hidhur. Sipas saj humbja e kolegëve e rëndoi edhe më shumë pandeminë, por pasuria që ata lanë pas është ngushëllimi më i madh.
“Sot u zgjuam me një lajm të hidhur, me humbjen e bacës Adem. Mirëpo pasuria të cilën e ka lënë na bën të ngjitemi pas asaj dhe të gjejmë një ngushëllim. Baca Adem ka qenë një tekstshkrues, regjisor, filmbërës i njohur, mbi të gjitha ka qenë një patriot i cili ka kontribuar shumë edhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, por me plotë kuptimin e fjalës mund të them që ka qenë një trim, intelektual i kohës së tij i cili është ballafaquar me sistemin”, deklaroi ajo teksa bënte homazhe pranë fotografisë së Mikullovcit.
Aktori i njohur Adem Mikullovci vdiq në mëngjesin e sotëm në moshën 82-vjeçare, duke lënë kështu të pikëlluar të gjithë ata që e njohën e e deshën edhe nga ekrani. Aktori Mikullovci ka lindur në vitin 1939 në Vushtrri, kurse përgjatë jetës së tij ka luajtur në shumë projekte filmike, teatër, komedi dhe shumë performanca të tjera artistike. Varrimi i tij do të bëhet sot në varrezat e qytetit në Dragodan/Arbëri në orën 16:00./ KultPlus.com