11 Janar, 2023 - 4:55 pm
Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit bëri bashkë të apasionuarit e muzikës dhe kinematografisë, nëpërmjet një koncerti të veçantë, të dirigjuar nga Giovanni Pompeo.
Për herë të parë Orkestra Simfonike e TKOB, solli kolonat zanore të disa prej filmave të cilët kanë hyrë në historinë e Hollivudit, si “Piratët e Karaibeve”, “Lufta e Yjeve”, ”Xhurasik Park”, “Supermen”,” Indiana Xhons”, “Lista e Shindlerit”, “Harri Poter” etj, të gjitha vepra të një prej kompozitorëve më të shquar amerikanë. Koncerti “Not’te da Oscar” solli magjishëm krijimet e John Williams, sot 90-vjeçar, i cili është një nga kompozitorët më të njohur, më shumë të vlerësuar me çmime dhe nga më të shpërblyerit financiarisht, në historinë e Shteteve të Bashkuara. Lista e çmimeve që i janë dhënë Williams-it përmban 52 kandidatura për Oscar si dhe 5 të fituar.
Një nga pjesët që publiku duartrokiti më gjatë, mbrëmjen e djeshme, ishte kolona zanore e filmit të regjisorit Spielberg, “Lista e Shindlerit”, interpretuar mjeshtërisht nga violinisti Ettore Pellegrino.
“Not’te da Oscar” i lë radhën të tjerave premierave dhe koncerteve që do vijnë me plot risi në TKOB përgjatë vitit 2023. /atsh /KultPlus.com