9 Dhjetor, 2018 - 3:00 pm
Alberina Haxhijaj
Dramaturgia Albana Muja në vitin 2015 botoi dramën e saj “Komedi e Kuqe”, e cila i solli publikut shqiptar, por edhe dramaturgjisë një dramë që brenda vetës ngërthen copëza nga realiteti. Rrëfimin e ngjarjes, Albana Muja e sjellë përmes katër personazheve me një stil gjuhë e komunikimi mjaft të sinçertë. Mirëpo 3 vite më vonë Muja i është rikthyer përsëri kësaj dramë kësaj radhe për ta jetësuar atë në teatrin e Mitrovicës.
“Ndihem mirë që po realizohet edhe si shfaqje duke kujtuar edhe temën që ende është aktuale dhe do të mbetet e tillë, aq më shumë në Mitrovicë, në një vend që konsideroj se ka nevojë që përmes teatrit të theksohen shqetësime të tilla”, ka theksuar dramaturgia Muja.
Në këtë shfaqe do të luajnë: Xhejlane Tërbunja, Mehmet Preteni, Njomza Tmava dhe Fisnik Istrefi.
“Drama ime flet për një fenomen i cili ka ndodhur dhe po ndodh në vendin tonë, për të rinjtë të cilët gjejnë forma të ndryshme që të lëvizin jashtë vendit gjithmonë në kërkim të një jete më të mirë. Forma e cila më ka provokuar që ta trajtoj këtë temë, është martesa pa dashuri por me qëllim të marrjes së lejeqëndrimit të vendit përkatës. Duke mos dashur të gjykoj të rinjtë të cilët e duan më të mirën për vetën e tyre jam munduar që nëpërmjet dramës sime ta ngris vetëdijen duke iu qasur temës me anë të komedisë së zezë dhe absurdit”, është shprehur Muja për KultPlus.
Regjinë e kësaj shfaqje e ka bërë Kreshnike Osmani, ndërsa skenografinë Skender Boshtrakaj.
“Regjinë e shfaqjes e ka bërë Kreshnike Osmani dhe po ndihem mirë që pas tri viteve po e realizojmë bashkë këtë shfaqje, duke kujtuar që provokimet e para për të shkruar rreth kësaj teme, i kam pasur me të, gjatë një bashkëbisedimi, duke i trajtuar me dhimbje rastet e ngjashme”, ka treguar Albana Muja.
Shfaqja “Komedia e Kuqe” do të ketë premierën më 13 dhjetor duke filluar nga ora 19:00./ KultPlus.com