11 Shtator, 2019 - 4:45 pm
Festivali Tradicional i Komedisë “Mitrovica in Fest”, për dy netë radhazi mblodhi dashamirët e artit në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica”. Sonte, në natën e tretë “Mitrovica in Fest” do të ndalet tek shfaqja nikoqire.
Teatri i Mitrovicës “Muharrem Qena” do të prezantohet me shfaqjen “Komedi e Kuqe” të autores Albana Muja në regji të Kreshnike Osmanit dhe me lojë të Xhejlane Terbunja, Mehmet Preteni, Njomza Tmava dhe Fisnik Istrefi. Muzika e kompozuar nga Arbër Krasniqi, e me kostumografi nga Venera Osmani, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.
“Komedi e Kuqe” synon të provokojë shikuesin sonte me një temë e cila trajton një periudhë jete të një çifti, Agimes dhe Fisnikut të cilët zgjodhën të jetojnë në Gjermani, megjithëse supozohet në një jetë stabile të çiftit, na del të jetë diçka tjetër.
Me anë të komikes, çifti vihet në sprova që shfaqin mungesën e lumturisë së tyre, për vite të tëra të bashkëjetesës.
“Edhe më në dukje, vihet ky fakt, pasi Fisniku kinse për të fituar një shumë të caktuar të hollash, vendos të martohet me një vajzë nga Kosova, duke i mundësuar kështu asaj, lejeqëndrimin në shtetin gjerman. Ardhja e kësaj vajze të quajtur Rilindje, e cila është e detyruar të jetojë me çiftin, na jep mundësinë të shohim situata dramatike por gjithashtu arrin të shfaqë edhe kthesa dramatike”, thuhet në komunikatë.
Organizatorët e festivalit si dhe gjithë ata dashamirë arti që po frymojnë bashkë me festivalin këto ditë presin që sonte nga ora 19:30 të bashkohen në komedinë e radhës, por përse jo të vazhdojnë festën ashtu siç po ndodh këto ditë, si asnjëherë tjetër ne Mitrovicë. /KultPlus.com