16 Tetor, 2021 - 8:30 pm
Teatri Kombëtar riktheu publikun artdashës në skenë pas një mungese të gjatë që shkaktoi pandemia. Në ArTurbina u vu në skenë komedia “Edmond”, e autorit Alexis Michalik.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti publikoi foto nga kjo komedi teksa u shpreh se “ishte emocion i veçantë të shihje skenën me aktorë e sallën me publik, të dëgjoje duartrokitje, të qeshura me humorin e këndshëm e karakteret pikante të “Edmond”.
“Mos e humbni shfaqjen e Teatrit Kombëtar, në sallën e ArTurbinës, me regji të Indrit Çobanit e Andia Xhungës”, tha Margariti. Ministrja e vlerësoj shfaqjen si frymëmarrje për artin shqiptar.
Një histori argëtuese, me nota komike dhe dramatike, që tregon se si Edmond Rostand, krijoi një nga kryeveprat botërore të letërsisë dhe artit skenik, “Cyrano de Bergerac”.
Një histori e jashtëzakonshme, ku e ardhmja e Edmondit, vihet në provën e kohës. Për dy javë duhet të krijojë veprën më të bukur të jetës, për të shpëtuar nga dështimi dhe mjerimi. Në qindra pengesat që ka përpara, ku më e madhja është mungesa e subjektit të duhur, Edmondi ka vetëm një zgjidhje; të hedhë në letër një ngjarje rastësore që nisi si histori dashurie e mikut të tij të ngushtë dhe përfundoi si vepra më e susksesshme e Teatrit.
Kjo histori e pabesueshme, e treguar me vargjet e Siranoit dhe me prozën e Mishalik e aktorëve Vasian Lami, Helidon Fino, Arben Derhemi, Lulzim Zeqja, Luli Bitri, Laert Vasili, Genci Fuga, Myzafer Zifla, Besmir Bitraku, deri tek aktorja e re, që ishte surpriza tjetër e shfaqjes, Ilirda Bejleri. / KultPlus.com