28 Qershor, 2022 - 6:30 pm
Komedia “Panik” e komedianit të shquar finlandez, Mika Myllyaho do të shfaqet për herë të parë në Shqipëri, nga data 29 qershor e deri më 3 korrik në Teatrin e Metropolit, Tiranë.
Komedia vjen në kuadër të festivalit të regjisorëve të rinj, organizuar nga Ministria e Kulturës dhe Teatri Kombëtar Eksperimental, dhe gjithashtu ka marrë mbështetjen e Bashkisë Tiranë dhe Ambasadës së Finlandës.
Komedia është vënë në skenë nga regjisori Blendi Arifi dhe do të interpretohet nga aktorët Aleksandër Prodani, Julian Hurdha dhe Brendi Bega. E mbështetur nga Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” dhe Teatri i Metropolit, komedia do të shfaqet në sallën e këtij të fundit.
Në veprën e tij të parë, Panik, (Panik 2005), Myllyaho i kthehet temës me të cilën ishte hasur shpesh si regjisor: problemet e të qenit burrë. Kjo komedi, e cila përshkruan neurozat e tre burrave të rinj që po i afrohen moshës së mesme, pati sukses të madh. Ky sukses e vendosi përfundimisht Myllyaho-n në pozicionin e një dramaturgu të shquar.
Për Myllyaho-n (datëlindja 1966), kapërcimi nga të qenit regjisor në dramaturg, ishte krejt i natyrshëm. Ai pati po aq sukses sa me regjinë, edhe në lëmin e të shkruarit, duke qenë gjithnjë inovator e duke sjellë një numër të madh punësh mbresëlënëse.
Ai ka pasur gjithashtu sukses edhe si drejtues, ku vlen të përmendet puna që ka bërë si drejtor i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar Finlandez.
Komedia “Panik” vjen për artdashësit shqiptarë nën përkthimin e Albana Kozelit dhe skenografi të Resina Meçanit. Vepra është përkthyer edhe në 12 gjuhë të tjera europiane, gjë që dëshmon për suksesin që ka pasur./atsh/ KultPlus.com