27 Shtator, 2021 - 4:56 pm
Komedia nga Kosova, “Kthimi i Karl Majit” do të jepet të mërkurën, me datë 29 shtator, nga ora 20:00, në teatrin Theater im Pfalzbau në Ludwigshafen të Gjermanisë.
Shfaqja, regjinë e së cilës e ka bërë Blerta Neziraj, është realizuar nga Qendra Multimedia e Prishtinës, Teatri Kombëtar i Kosovës dhe teatri Volksbuhne i Berlinit. Në shfaqje luajnë aktorët e mirënjohur Kosovar: Adrian Morina, Arta Muçaj, Armend Ismajli, Ylber Bardhi e Shpetim Selmani. Tekstin e ka shkruar Jeton Neziraj.
Premiera e kësaj shfaqje është dhënë vitin e kaluar në tetor në Teatrin Kombëtar të Kosovës.
Ajo e konfronton publikun me qasjen gati demonizuese të Evropës Perëndimore ndaj Lindjes – superioritetin e supozuar kulturor, politik e intelektual të saj ndaj Lindjes – Në shfaqje, Kara Ben Nemsi, personazhi i njohur i librave të Karl Majit, arratiset nga Lindja dhe bashkë me një grup aktorësh nga Kosova, ia mësynë ‘tokave gjermane’. Në këtë udhëtim gati epik, ai takon Slavoj Zhizhekun, Piter Handken, një pjesëtar të Nëntokës Nacional-socialiste (Nationalsozialistischer Untergrund) e personazhe të tjera / KultPlus.com