11 Janar, 2020 - 9:30 pm
Në skenën e “ArTurbinës” që prej datës 9 janar po shfaqet për publikun artdashës komedia “Revizori” .
Komedia brilante “Revizori” nga regjisoria Driada Dervishi është një produksion i teatrit ” Aleksandër Moisiu” Durrës. Ky teatër sot mbush 67 vjet nga dita e krijimit të tij dhe Teatri Kombëtar gjen rastin t’ i urojë jetë të gjatë në rrugën e bukur të artit.
Komedinë “Revizori” është një nga veprat më të mëdha të Nikolaj Gogol dhe interpretohet nga aktorët Gentian Zeneli, Amos Zaharia, Adelina Muça, Xhejni Fama, Kastriot Shehi, Gjergj Doçi, Jaho Guma dhe Erjon Hodo.
Një zëdhënëse për shtyp që dëshiron të bëhet kryetare, një prokurore që merr dhurata po kurrë para, një drejtor arsimi që ka mbaruar shkollën me pesa, të gjithë pjesë e një administrate të rrallë.
Kryevepra botërore e Nikolaj Gogol, përcjell një mesazh të heshtur reflektimi. Një thirrje drejtuar të gjithë atyre që e shohin pushtetin si shpërblim për vetveten.
Teatri Kombëtar ka falenderuar dhe publikun kryeqytetas për pritjen e mrekullueshme që i kanë bërë kësaj komedie duke rezervuar të gjitha biletat dhe për sonte në mbrëmje dhe nesër.
Kjo shfaqje do vijoj për publikun sot dhe nesër në orën 18:00, në sallën e madhe “ArTurbina”. /KultPlus.com