10 Tetor, 2018 - 10:00 pm
Alberina Haxhijaj
Komedia “Sundimi i Gruas” nga Miro Gavran dhe me regji nga Marigona Bekteshi- Ferati, do të inskenohet për herë të parë në Shqipëri, shkruan KultPlus.
Regjisorja Marigona Bekteshi- Ferati, ka gjetur një lidhshmëri me tekstet e autorit kroat Miro Gavran, dhe ka vënë në skenë disa herë pikërisht tekste të këtij dramaturgu. Një gjë të tillë ajo do e bëjë edhe në Teatrin “Petro Marko” të Vlorës ku do të inskenojë shfaqjen “Sundimi i Gruas”.
Kjo shfaqje trajton temën e një gruaje me emrin Ana e cila jeton me burrin e saj të ri sepse ish burri i saj është dënuar me burg sepse kishte transferuar mijëra para nga banka. Por me shpalljen e burrit të Anës të pafajshëm nga organet e drejtësisë, ky i fundit kthehet në apartamentin e tij ku i duhet të jetojë me Anën dhe të dashurin e saj. Një situatë e cila e bënë komike shfaqjen.
Regjisorja Marigona Bekteshi- Ferati për KultPlus, ka treguar se ajo do të vazhdojë inskenimin edhe të teksteve të tjera të cilat janë shkruar pikërisht nga dramaturgu Miro Gavran.
“Unë tani po punoj vetëm me tekstet e Miro Gavran dhe do të vazhdoj të inskenoj edhe tekste të tjera sepse është shumë aktual dhe ka tekste shumë familjare dhe me shumë stil. Miro Gavranështë një autor bashkëkohorë dhe shume aktual me veprat e tij dhe pa dyshim që edhe unë dua të punoj me veprat e tij”, u shpreh ajo.
Në këtë shfaqje do të luajnë Dori Caushi, Artan Islami dhe Margent Caushi. Skenografia dhe kostumet nga Drini Shehu, ndërsa kompozitor është Artur Dhamo.
Ky projekt është mbështetur nga Ministria për Kulturë në Shqipëri dhe me vonë këtë projekt e ka mbështetur edhe Bashkia e Fierit. Kjo shfaqje është punuar në Kosovë para 2 viteve në Teatrin e Vushtrrisë, si temë masteri nga regjisorja, ndërsa po tani po inskenohet në Shqipëri edhe si dramë edhe si shfaqje për herë të parë.
Premiera e shfaqjes do të jetë në qytetin Vlorës, muajin e ardhshëm më 9 nëntor, në Teatrin “Petro Marko”./ KultPlus.com