23 Nëntor, 2017 - 5:01 pm
Renovimi i këtij teatri ka kushtuar gjithsej 60 mijë euro, por sipas reagimeve të artistëve nëpër rrjeteve sociale, ky renovim nuk është adekuat për këtë institucion.
Sarandë Selimi
Ka plotë katër muaj që Teatri Dodona në kryeqytet është në renovim. Ky teatër, tashmë duket se është në fazën e fundit të këtij renovimi madje sipas drejtorit të Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës Besart Vllahinja, Dodona, do të nis punën javën e ardhshme.
Renovimi i këtij teatri ka kushtuar gjithsej 60 mijë euro, por sipas reagimeve të artistëve nëpër rrjeteve sociale, ky renovim nuk është adekuat për këtë institucion.
Reagimet kanë ardhur edhe para disa ditësh kur Dodona ende nuk kishte përfunduar e tëra, ndërsa sot në rrjetin social Facebook, me një fotografi dhe një mbishkrim ka reaguar edhe dramaturgu i njohur kosovar Jeton Neziraj. Neziraj, ndër të tjera ka thënë se mandatet shkojnë e vijnë por këto pllaka druri do të ngelen si kumbona në këtë institucion.
“Diletantizmi ‘renovues’ në Teatrin Dodona në Prishtinë. Këto ‘iverica’ të skenës në këtë teatër janë dëshmi e improvizimeve e diletantizmit kulturor n’Prishtinë e përtej… Mandatet shkojnë e vijnë por këto pllaka druni kan me ngele si kumbona (ta përdori nje shprehje të Naser Shatrollit) me jau rikujtu secilit prej tyre marrëzitë e masakrat mbi institucionet e kulturës”, ka shkruar dramaturgu Neziraj.
KultPlus, ka kontaktuar sot me drejtorin Besart Vllahinja, për të marrë një përgjigje rreth këtyre reagimeve dhe rreth asaj se kur Dodona do të hapë dyert.
Vllahinja, sa i përket reagimeve ka thënë se nëse flasim për persona të veçantë në relacion me Dodonën, së pari do duhej të shohim edhe konfliktin e interesit në raport me misionin e teatrit. Ndërsa ka shtuar se materiali i përdorur është dizajnuar dhe projektuar nga njerëzit kompetent.
“Nëse flasim për persona të veçantë dhe për relacionin me Dodonën së pari do duhej ta shohim edhe konfliktin e interesit në raport me misionin e teatrit. Nëse merret si shqetësim i përgjithshëm për materialin e përdorur, të them të drejtën ai është dizajnuar dhe i projektuar nga njerëzit kompetent, këtu përfshihet i gjithë procesi i renovimit dhe materialet që janë përdorur. Nëse kjo është shqetësuese ashtu edhe si po pretendohet, ne mund të marrim masa për ta zgjidhur. E them me plot përgjegjësi që të gjitha këto tentative për me e relativizu punën që është bërë lidhur me renovimin e Dodonës, janë të zbehura në krahasim me rezultatin që ne po e presim në procesin e hapjes së teatrit. Hapja e këtij teatri besoj që do të jetë javën e ardhshme nëse marrim edhe raportin pozitiv nga ekspertët, të cilët e pranojnë punën teknike”, ka thënë për KultPlus, Vllahinja.
Kompania e cila ka bërë renovimin e Teatrit Dodona në kryeqytet është “ Ero Project” SH.P.K./ KultPlus.com