23 Korrik, 2019 - 12:30 pm
Loja e aktorëve ferizajas dhe mjeshtëria regjisoriale e regjisores Elmaze Nura me shfaqjen “Koprraci” për pak javë shpërthejnë kufijtë e prezantimit kombëtar.
Është Festivali Ndërkombëtar i Teatrit Bashkëkohor dhe Eksperimental i Kajros, që në edicionin e tij të 26-të ka zgjedhur pikërisht shfaqjen “Koprraci” të regjisores Nura, prodhim i Teatrit “Adriana” në Ferizaj që ta ftojë në ceremoninë hapëse të këtij festivali prestigjioz ndërkombëtar. Siç transmeton rtk, trupa jonë ka të rezervuara dy data, 11 dhe 12 shtator për t’i prezantuar publikut teatror ndërkombëtar, magjinë, lojën, intrigën dhe zhdërvjelltësinë skenike që bart nga fillimi deri në fund, shfaqja “Koprraci”.
Kjo ftesë, rezultat i angazhimit të pakursyer të regjisores Nura për promovimin e teatrit shqiptar në arenën ndërkombëtare ngre siparin më 10 shtator dhe zgjat deri më 19 shtator të këtij viti. Aktorët ferizajas, ansambli i shfaqjes “Koprraci” dhe një pjesë e drejtuesve të teatrit e kulturës në Ferizaj, tash kanë bërë përgatitjet që në shtator të ngjisin skenën e Shtëpisë së Operës në Kajro, në hapje të Festivalit.
Udhëtimi i shfaqjes sonë në Egjipt është e para e këtij lloji dhe përmase në dekadat e fundit, që flet mjaft për ecjen përpara të Teatrit “Adriana”, komunikimin dobiprurës me regjisorët e angazhuar dhe bashkëveprimin në funksion të promovimit të talenteve, artit teatror dhe punës krijuese tek ne.
Ky është përfaqësimi i vetëm dhe më i lartë që i bëhet Republikës së Kosovës në këtë festival prestigjioz, mbështetje për të cilën dha Komuna e Ferizajt.