25 Janar, 2022 - 2:15 pm
Për sonte, natën e tretë të Festivalit të Dramës Shqiptare, i cili po mbahet në Gjilan, në kuadër të manifestimit ‘Flaka e Janarit 2022’, ka qenë e paraparë shfaqja e Teatrit të Korçës ‘5 ditë mbret’, por organizatori ka njoftuar se shkaku i pandemisë është dashur të bëhet një ndryshim në program.
Shfaqja e natës së tretë ‘5 ditë mbret’ me skenar të Stafan Çapalikut e regji të Gjergj Prevazit, e Teatrit “Andon Zako Çajupi” nga Korça, është anuluar.
Në fakt masat e reja anti-Covid, sipas të cilave kërkohen dy doza të vaksinimit dhe testi për të gjithë ata që hyjnë në Kosovë, i ka pamundësuar trupës teatrore në Korça që të paraqitet para publikut gjilanas.
Organizatori menjëherë ka ndërmarrë masat për të plotësuar programin e kësaj nate dhe në vend të shfaqjes ‘5 ditë mbret’ do të shfaqet komedia “Hollyshit” me regji të Ilir Bokshit, ku luajnë aktorët Adrian Morina dhe Ylber Bardhi.
Kjo shfaqje është e bazuar në “Gurë në xhepat e tij” nga autorja Marie Jones. /KultPlus.com