16 Gusht, 2022 - 3:16 pm
Koreografi i njohur kosovar, Robert Nuha do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në festivalin Jerusalem Solo Dance Festival që do të mbahet në Shtetin e Izraelit, nën organizimin e koreografes se njohur izraelite me famë botërore, Miriam Engel.
“Me këtë rast do të qëndroj në rezidencën artistike në Izrael, nga data 22 gusht deri më 9 shtator, me ç’rast do ta mbyll atë përvojë me premierën botërore të densit bashkëkohor të njohur si “Mechanical”, ka shkruar Nuha në rrjetin social Facebook.
Nuha ka falënderuar Ambasadoren e Republikës së Kosovës në Izrael dhe të Ngarkuarën me Punë të Republikës së Kosovës në Jerusalem, znj. Ines Demiri, ambasadat e Shtetit të Izraelit në Republikën e Kosovës dhe në Republikën e Shqipërisë Shkëlqesinë e Saj, si dhe Ambasadoren e Shtetit të Izraelit në Republikën e Kosovës, znj. Tamar Ziv për mbështetjen.
Në qershor të këtij viti, koreografja izraelite Miriam Engel dhuroi performancën artistike “Ndal luftën” në edicionin e dhjetë jubilar të festivalit të vetëm feminist në Ballkan “FemArt”, në Prishtinë. / KultPlus.com