22 Korrik, 2021 - 11:15 am
Prej periudhës së pasluftës, parti të ndryshme politike të Kosovës kanë pas një premtim të njëjtë sa i përket fushës së kulturës, ndërtimin e objektit të Operës dhe Baletit të Kosovës, premtime që janë bartë prej zgjedhjeve në zgjedhje, herë parlamentare e herë lokale, duke mos përjashtuar edhe gurthemelin e këtij objekti afër Fakultetit Teknik në Prishtinë, hapjes së tenderëve për projekte ideore, që kanë pas kosto të larta, e deri te zvogëlimi i këtij projekti, prej objektit të Operës së Baletit dhe Kosovës, në kalim të një salle koncertale, që po mendohet të ndërtohet në ish objektin “Gërmia”, në Prishtinë, shkruan KultPlus.
Por me udhëheqjen e Qeverisë Kurti, duket se kanë ndryshuar gjërat sa i përket kësaj qasje, pasi që, kjo Qeveri duket të mos e këtë prioritet ndërtimin e objektit, para asaj të themelimit të këtij institucioni.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, e udhëhequr nga Hajrulla Çeku ka iniciuar themelimin e këtij institucioni, propozim që edhe është miratuar nga Qeveria e Kosovës, e që pritet të kalojë edhe në Kuvendin e Kosovës.
“Opera fillimisht është koncept i veçantë Evropian i interdisciplinaritetit në kulturë, ku bëhen bashkë të gjitha artet, kështu që kërkesat fillestare duhet të jenë të natyrës strukturore, të organizimit të institucionit të përgatitjes së trupave të ndryshme artistike, të zhvillimit të strukturës administrative etj. Ndërsa godina është aspekt dytësor, i rëndësishëm por dytësor, sidomos në shekullin 21”, kanë thënë zyrtarët e MKRS-së, në pyetjet e KultPlus, në lidhje me themelimin e këtij institucionin.
Se prej sa anëtareve do të jetë kjo trupë, duke përfshirë ata artistik, por edhe pjesën përcjellëse, zyrtarë të MKRS kanë thënë se pas miratimit të këtij propozimi nga ana e Qeverisë së Kosovës, pritet të themelohet komisioni iniciues që harton statutin e institucionit që përcakton edhe organogramin në bazë të legjislacionit në fuqi. “Ku do të vendosen edhe elementet tjera që ndërlidhen, përfshirë këtu edhe emrin. Qëllimi është që të jenë sa më efikas dhe profesional”, është thënë në përgjigjet e MKRS-së.
Poashtu për ngritjen e një institucioni të tillë, ende nuk është e qartë se çfarë buxheti do të jetë i mjaftueshëm, dhe sipas zyrtarëve të MKRS-së, një planifikim i tillë do të vjen kur të funksionalizohet institucioni, dhe buxheti do të përgatitet në bazë të kërkesave të planit vjetor.
Ndërkohë, deri sa po shënohen hapat e parë të themelimit të institucionit të Operës dhe Baletit të Kosovës, ende nuk dihet se pas funksionalizimit se ku do të vendoset kjo trupë, por se kur do të shijohet shfaqja e parë operistike, zyrtarë të MKRS-së kanë thënë se në proces të funksionalizimit, në vitin e ardhshëm, institucioni në bazë të planit vjetor do të ofroj për publikun kosovar programin operistik./ KultPlus.com