3 Tetor, 2017 - 11:54 am
Shtatori në Qendrat Informative dhe Kulturore të BE-së në Prishtinë dhe Mitrovicën Veriore i ishte dedikuar Evropës Krijuese. Për të sqaruar këtë program shumë të rëndësishëm për sektorin kulturor dhe audiovizuel në Evropë, EUICC-të në Prishtinë dhe Mitrovicën Veriore organizuan një fushatë informuese e cila përfshinte një varg ngjarjesh.
Në një diskutim në panel në EUICC në Prishtinë, Florim Canolli nga Ministria e Integrimit Evropian deklaroi se Kosova do të kualifikohet për fondet e programit Evropa Krijuese në fillim të vitit 2018.
“Ne e kemi marrë projekt-marrëveshjen e parë për programin Evropa Krijuese (Creative Europe) dhe do të vazhdojmë procedurat e tjera përfshirë edhe ratifikimin e kësaj marrëveshjeje në Kuvend, në mënyrë që Kosova të jetë e përgatitur për këtë program në janar 2018”, tha Canolli. Procesi i kualifikimi do të koordinohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, me përkrahjen e ekspertëve të jashtëm.
Drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zharku, tha në diskutimin në panel se komponenti audiovizual i programit Evropa Krijuese është shumë i rëndësishëm për industrinë e filmit në Kosovë. ”Edhe pse nuk kemi qenë ende pjesë e programit, ka pasur bashkëpunime të suksesshme ndërmjet kompanive kosovare dhe evropiane të produksionit filmik” tha Zharku, duke ju referuar filmave të suksesshëm me kooproduksion ndërkombëtar “Shok” dhe “Home”.
Kurse Dominique Thiange (Belgjikë), ish udhëheqëse e Programit Culture For AII – Phase III (2014 – 2016), në një Seancë Informuese në EUICC në Prishtinë, i prezantoi thirrjet aktuale për aplikim në programin Evropa Krijuese, dha këshilla dhe informata të rëndësishme mbi procesin e aplikimit si dhe informacione mbi përfitimet që do i sjellin fondet e programit Evropa Krijuese sektorit kulturor të Kosovës.
Në një seancë informative në EUICC në Mitrovicën Veriore, një panel i përbërë nga përfaqësuesit e Ministrisë së Integrimit Evropian, Florim Canolli dhe Flamur Salihu, dhanë informacione mbi programin Evropa Krijuese, kriteret e kualifikimit dhe prezantuan edhe programet e tjera të BE-së që janë në dispozicion në Kosovë.
Evropa Krijuese është një program kornizë i Komisionit Evropian për përkrahjen e sektorëve kulturorë dhe audiovizualë, duke u mundësuar atyre të rrisin kontributin në punësim dhe zhvillim të qëndrueshëm. Buxheti total për 2014-2020 është 1.46 miliardë euro. Iniciativat e EUICC në muajin tetor do të fokusohen në temën e arsimit. /KultPlus.com