Kritika e Vjenës vlerëson lartë Flaka Gorancin për rolin e Carmen (FOTO)

14 Shtator, 2017 - 2:28 pm

Fotot:Andreas Lander
Fillimisht me rolin e Carmen, mezzosopranoja shqiptare Flaka Goranci u paraqit në Magdeburg të Gjermanisë, dhe mishërimi i saj në këtë rol solli edhe një tjetër paraqitje me Carmen, por tashti në Vjenë të Austrisë, nëpërmjet kompanisë In den höchsten Tönen, shkruan KultPlus.

Kritika e botuar të mërkurën, në IOCO në Vjenë, me autor Marcus Haimerl, Flaka Gorancin e përshkruan si një figurë ideale për rolin e Carmen, ku sipas tij, jo vetëm me pikëpamje optike, por me një zë të thellë melodioz, me nota të larta dhe të forta, të sigurta dhe me një frazim të bukur muzikor, por edhe me një paraqitje komplet natyrale, ajo arrin të sjellë të gjitha aspektet e lojës, bindshëm në skenë.
Kurse vetë Flaka Goranci ka treguar për KultPlus për ndjesinë që i ka dhënë ky rol, ku sipas saj, Carmen është një ndër rolet më të bukura dhe të veçanta për mezosoprano.

Sipas saj, veçantia e këtij roli është se nëse këndon Carmen, do të thotë të duhet jo vetëm të këndosh në skenë, por edhe të kërcesh flamengo dhe të luash kastanjetat spanjolle. “Carmen është ai rol që derisa je duke kënduar, duhet edhe të kërcesh”, ka thënë Goranci.
Poashtu ajo ka shtuar detajet mbi këtë rol, ku Goranci detajon se roli i Carmen kërkon edhe një lojë aktoriale të kompletuar, ku fillon nga një vajzë çapkëne duke arritur në dramën e një ciganeje andaluziane deri ne aktin final, vrasjen nga ish i dashuri xheloz Don Jose! Flaka Goranci, të njëjtën operë do ta realizoj edhe në muajin tetor, poashtu në Vjenë./KultPlus.com

Të ngjajshme