Kryeministri Kurti në homazhe për Vjosa Berishën: Kujtimet për të mbeten të pashlyeshme

30 Qershor, 2022 - 2:49 pm

Në Teatrin Kombëtar të Kosovës kanë filluar të mbahen homazhet për producenten Vjosa Berisha, shkruan KultPlus.

Shumë fytyra të njohura nga fusha e artit, kulturës, politikës dhe jo vetëm, po vijnë ta nderojnë producenten e cila vdiq pas një sëmundje të rëndë, më datë 23 qershor.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, bashkë me kryeparlamentarin Glauk Konjufca, bënë homazhe në TKK për të nderuar producenten e njohur.

Kryeministri Kurti u shpreh se kujtimet për Vjosën do të mbeten të pashlyeshme dhe se Prishtina ka mbetur pa një grua e cila me optimizmin, pozitivitetin e saj, por edhe me talentin e saj i dha shumë kulturës dhe artit te ne.

“Sot po ja japim lamtumirën e fundit artistes, regjisores, udhëheqëses artistike, organizatores, Vjosa Berisha, kujtimet për të cilën mbeten të pashlyeshme e paharrueshme për të gjithë ne që e njohëm atë. Prishtina si kryeqytet i Republikës, artdashësit dhe mbarë qytetarët e vendit tonë kanë mbetur pa një grua e cila me optimizmin, pozitivitetin e saj por edhe me talentin e saj i dha shumë kulturës dhe artit te ne. Përfshirë kështu filmat në të cilët punoj dhe festivalit PriFest, që u bë një vend ku ne takonim artistë dhe aktorë të famshëm nga bota të cilët edhe vizitonin Kosovën por njëkohësisht kontribuonin për vendin tonë që të futet në hartën botërore. Me dhembje të madhe, me pikëllim, por njëkohësisht edhe me krenari për kontributin që ka dhënë, e kujtojmë me shumë nderim artisten dhe producenten Vjosa Berisha”, u shpreh Kurti.

Ndërsa kryeparlamentari Konjufca, tha se Berisha ka lënë prapa një trashëgimi të çmueshme të kulturës dhe artit.

“Vjosa Berisha ka lënë mbrapa një trashëgimi shumë të çmueshme të kulturës dhe artit. Ajo ka qenë edhe producente e filmit edhe regjisore, por mbi të gjitha ka qenë ambasadore e shquar e kulturës dhe artit tonë në botë. Përveç kësaj nuk duhet të harrojmë që ajo ishte edhe një aktiviste që i ndihmoi shumë shtetit të Kosovës. Veprimtaria e saj nuk ka qenë vetëm artistike dhe kulturore por duke qenë e tillë ajo gjithmonë fliste për Kosovën dhe mundohej të kontribuonte në ndërtimin e imazhit të  mirë të vendit tonë. Si e tillë ajo do të kujtohet gjithmonë”, u shpreh Konjufca.

Pas homazheve, në ora 15:00 do të mbahet mbledhja komemorative në Teatrin Kombëtar, organizuar nga Ministria e Kulturës. / KultPlus.com

Të ngjajshme