21 Mars, 2019 - 2:11 pm
Teatri “Adriana” nisi punën e produksionit të kryeveprës botërore “Kopraci” nga Molieri me regjisoren Elmaze Nura. Në shfaqjen “Kopraci” krahas temës se koprracisë, regjisorja Nura, i kushton rëndësi të madhe edhe trajtimit të dashurisë dhe lakmisë, shkruan KultPlus.
Harpagoni është kryepersonazhi i shfaqjes, koprac, një person egoist që grumbullon para sa më shumë të jetë e mundur. Asnjë shumë parash nuk do të jetë mjaft e madhe për të që të mjaftohet. Ai është gjithmonë paranojak, gjithmonë në prag të shndërrimit totalisht në një njeri të pandjeshëm nga dashuria e tij për para. Por edhe kur bëhet fjalë për dashurinë, ai prapë e vë veten në rend para djalit të tij Kleantit dhe është në gjendje që të martohet më të dashurën e djalit të tij, me të bukurën Marianë, pa i ardhur fare keq që po hyn ne mes të një dashurie të brishtë dhe të pastër të dy të rinjve. Ndërsa sa për para edhe vajzën e tij Elizën, është në gjendje ta martojë me një njeri të vjetër, vetëm për faktin se ai është i pasur. Ashtu si në shumë komedi të bukura, Kopraci fokusohet në martesë, si një simbol i konfliktit dhe zgjidhjes së lumtur. Kur njerëzit nuk mund të martohen me ata që duan, doza e konfliktit shumëfishohet. Në komedinë “Kopraci” autori i madh botëror, Molieri, na ballafaqon fytyrën e të keqes dhe të mirës.
Klasicizmi është një harmoni midis materies dhe mënyrës së shprehjes. Dhe mënyra më e lehtë për ta shijuar, është Molieri. “Edhe pse një ndër veprat më të mira të klasicizmit, Kopraci i flet kohës dhe mentalitetit tonë në të gjitha nivelet. Lajkat dhe lajkatarët, i takojmë çdo ditë, dhe në këtë vepër ky është fenomen”, shprehet profesoresha e Regjisë Elmaze Nura, duke shtuar se siç thotë edhe vet autori “nuk është faji i atyre që bëjnë lajka, por i atyre që i pranojnë dhe ua kënda ato”. Ajo shton se thuajse kjo vepër është shkruar për kohën të cilën ne po e kalojmë dhe fenomenet që po përballemi, duke futur këtu edhe aspektin kulturor, social dhe ekonomik në të cilin jemi rritur dhe po jetojmë.
Për regjisoren Nura, kjo është një komedi e cila sa prek fenomene që aq sa na shqetësojnë, aq edhe na bëjnë të argëtohemi dhe përmes së qeshurës reflektojmë mbi modelet që duhet të ndjekim në rrugën tonë të mëtejshme.
Regjisorja e kësaj shfaqje para pak ditësh, ka përzgjedhur ekipin e shfaqjes në përbërje të aktorëve ferizajas: Mevlan Saraçi, Jajush Ramadani, Blin Sylejmani, Ali Krasniqi, Uratë Shabani Doruntina Xhemajli, Vjosa Abazi, Sherif Bega dhe Milot Salihu.
Ekipi i shfaqjes pa ndërprerë, çdo ditë me entuziazëm po realizon provat e para, duke përparuar dukshëm për vetëm pak ditë nga nisja e këtij projekti.
Teatri “Adriana” këtë vit synon që të realizojë 4 premiera, një volum i jashtëzakonshëm ky i punës vjetore, prodhime këto që financohen drejtpërdrejt nga Komuna e Ferizajt që publikut ferizajas, në mënyrë të vazhdueshme t’i sjellin vepra cilësore e shfaqje të nivelit të lartë, falë punës profesionale të menaxhmentit, trupës së aktorëve dhe mbikqyrjes nga Këshilli Drejtues i teatrit.
Në ndërkohë sa po vijon repertori i rregullt i Teatrit “Adriana” me shfaqje nga qendra të ndryshme të Kosovës dhe më gjerë, brenda pak javësh do të jepet edhe premiera e shfaqjes “Kopraci” nga regjisorja Elmaze Nura.
Aktorët ferizajas së shpejti do të ngjiten në skenë për t’i ofruar publikut një ndër kryeveprat botërore, “Kopracin” nga Molieri./ KultPlus.com