16 Dhjetor, 2024 - 9:44 pm
Kryevepra e Donizetti-t “Lucia di Lammermoor” mblodhi qindra artdashës edhe në natën e saj të dytë.
Orkestra e TKOBAP-së, nën dirigjimin e maestro Vakhtang Gabidzashvili, kori i drejtuar nga maestro Dritan Lumshi dhe solistët e mirënjohur të skenës sonë, si Ramona Tullumani, Artur Vera, Raffaele Abete, Solen Alla, Matias Xheli, Erlind Zeraliu dhe Marina Kurti, dhuruan një performancë unike për publikun.
Vepra e kompozitorit italian Gaetano Donizetti, është një dramë që ndërthur dashurinë e ndaluar, tradhtinë dhe çmendurinë dhe u rikthye në TKOB pas 16 vitesh.
Produksioni i ri i veprës operistike pati në rolin kryesor sopranon e mirënjohur në skenat ndërkombëtare, Jessicca Pratt, ndërkohë që 16 vjet më parë roli i Lucia-s interpretohej nga Marjana Leka dhe Oriana Kurteshi.
“Lucia di Lammermoor” është një nga veprat më të rëndësishme që vihen në skenën e TKOB këtë fundviti. Vepra erdhi me regji nga Ada Gurra dhe nën dirigjimin e maestros Jacopo Sipari di Pescasseroli dhe drejtuesit të korit, Dritan Lumshit.
Opera e Donizetti-t rrëfen fatin e një vajze që lufton për dashurinë, e që nuk pranon të bëjë kompromis./atsh/ KultPlus.com