4 Nëntor, 2020 - 11:31 am
Pjesë artistike nga vepra e njohur “Lahuta e Malsisë” do të shfaqen nga aktori Armend Baloku, si premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës më 6 nëntor, shkruan KultPlus.
Kjo premierë që do të nis nga ora 20:00 do të sjell një frymë fishtiane, duke na kujtuar rëndësinë e kësaj vepre në letërsinë shqiptare dhe artin përgjithësisht. Ndërkaq në po të njëjtën orë, do të jepet repriza në datat 7 dhe 8 nëntor
Armend Baloku i cili prej kohësh është duke u marrë me përgatitjen e interpretimit të Lahutës së Malsisë, nëpërmjet një postimi është shprehur se madhështinë e kësaj vepre që e kishte poseduar që nga fëmijëria, e kishte kuptuar kur ishte rritur.
“Vetëm në shkollë të mesme e kuptova se është një thesar që vetëm ata që e dinë përmbajtjen e saj, e kuptojnë fuqinë e jashtëzakonshme të “Lahutës” e nëpërmjet saj të Fishtës, Homerit shqiptar, apo personalitetit, që thotë albanologu Norbert Jokli, “gjuhën shqipe e bëri zojë në vete”, ka shkruar Baloku.
Leximi i kësaj vepre për Balokun nuk mbetet vetëm njohje e letërsisë por, edhe dashuri ndaj atdheut. Në të njëjtën kohë nga “Lahuta e Malsisë” sipas tij, kuptojmë se pa interesimin dhe edukimin mbi kulturën dhe të kaluarën tonë historike, edhe patriotizmi do të zbehet.
“Përmes Fishtës apo “Lahutës” kuptojmë se çdo me thanë me ba mendjen e zemrën një, për me i qëndrue në krye problemeve të mëdha, por me i zgjidh ato një nga një, pa u frigue se zhytesh e mbetesh në to”, ka vlerësuar Armend Baloku.
Atdhedashuria dhe mesazhet që përçohen në veprën “Lahuta e Malsisë”, sipas Balokut, e bëjnë njeriun që çdo veprimtar tjetër të atdheut ta sheh si vazhdimësi të Fishtës.
“E kur e lexon Fishtën, e sheh Fishtën. E mandej çdo patriot për ty e ka emnin Fishtë, dhe vetëm me këtë lloj bëhet vendi e shteti, që janë në gjendje deri në vetmohim me u angazhu për dashnin e tyre, atdheun e tyre. E mbi këtë bazë, Haxhi Zeka të duket Fishtë, e mbi këtë bazë Hasan Prishtina të duket Fishtë, e mbi këtë bazë Adem Jashari të duket Fishtë”, ka shkruar aktori Baloku.
Në shfaqjen premierë, veprën “Lahuta e Malsisë” do ta interpretoj Armend Baloku, organizatore është Vlora Nikçi, asistent Kushtrim Mehmeti, ndriçimi Skënder Latifi dhe dizajni nga Dardan Luta./KultPlus.com