5 Tetor, 2018 - 7:21 pm
Alberina Haxhijaj
Trupa e Baletit të Kosovës, mbrëmë ka dhënë premierën e tretë për këtë vit, “Le Corsaire” koreografin e të cilës e ka realizuar Israel Rodriguez, shkruan KultPlus.
Ka një muaj që Trupa e Baletit të Kosovës ka punuar për të sjellë në Prishtinë një ndër shfaqjet më të njohura të baletit klasik. Një balet i cili u veçua mbrëmë për shkak të pjesëve në duet dhe solo që kishte. Kjo shfaqje po ashtu solli në skenë edhe një numër më të madh të balerinëve në skenë, të cilët përmes shfaqjes së ndarë në tri akte sollën në skenë piratët, dashurinë, tradhtinë, intrigat dhe lumturinë brenda një kornizë të vetme. Një shfaqje për të cilën shpesh herë është thënë se balerinët duhet ta ketë të shënuar që e kanë luajtur gjatë karrierës së tyre.
Historia e baletit “Le Corsaire” edhe pse është luajtur nëpër shumë teatro ka ndërruar gjatë kohës disa elemente brenda vetës. Disa ndryshime i ka bërë kësaj shfaqje edhe koreografi Israel Rodriguez. Ai përmes tri akteve solli historinë e piratit Conrad (Sinan Kajtazi), i cili bie në dashuri me Medoren (Teuta Krasniqi), një vajzë e cila qëndron brenda haremit të Lakendemit ( Sead Vuniqit). Ky i fundit dëshiron që të ia shes dy nga vajzat e haremit Pashait (Liridon Mziu), Medoren dhe Gulnarën (Jeta Musolli). Mirëpo Conrad është i vendosur që të shpëtoj Medorën dhe vajzat dhe ti lejë të lira. Ai ndihmohet nga miqtë e tij piratë si dhe Aliu (Fatmir Smani). Por historia merr kthesa të ndryshme kur pikërisht miku i tij Birbanto (Muhamet Bikliqi) dëshiron ta vrasë atë.
“Isha pak i shqetësuar për reagimet qe do të marrë nga publiku për shkak të historisë që ky balet ka në origjinal. Është e vështirë që të kombinosh një balet të tillë në një kohë kaq të shkurtë. Pastaj kjo është sfidë edhe për faktin se ka më shumë balerinë dhe kjo mund të jetë sfidë edhe për Teatrin, dhe në kulmin e kësaj kur erdha këtu dëgjova që ka probleme financiare. Mirëpo, jam i lumtur që balerinët përkundër rrethanave kanë bërë shumë mirë punën e tyre. Ky balet ka shumë variacione, ka shumë duete, solo dhe mendoj që është hera e parë që një formacion i tillë bëhet këtu”, tregoi koreografi Rodriguez për KultPlus.
Pikërisht dashuria e madhe dhe puna që ka bërë koreografi së bashku me balerinët për të sjellë këtë shfaqje ishte diçka që u vërejt edhe nga të pranishmit,u shpreh balerina dhe pedagogia Sabrije Spahiu.
“Shfaqja ka qenë teknikisht shumë e vështirë por balerinët ishin shumë të saktë, shumë preciz dhe u pa edhe nga publiku të cilët i ndërprenë disa herë me duartrokitje. Vërtetë kanë qenë të mrekullueshëm. Nuk kam fjalë. Problemi është se te ne për valltarë të baletit salla është shumë e vogël dhe shpesh herë duhet t’ju ndërpritet kërcimi aq i madh që e kanë. Israeli si gjithmonë ka punuar me shpirt, me përkushtim të jashtëzakonshëm”, tregoi ajo.
Punën e balerinëve e veçoi edhe Melihate Qena, ajo u shpreh për KulPlus se balerinët çdo herë po janë frymëzim sesi të punohet me shumë dashuri.
“I adhuroj dhe i çmoj shumë këta balerinët tanë sepse punojnë me dashuri të madhe. Po dëgjojë që ka disa muaj që nuk kanë marrë roga dhe kjo është një fatkeqësi e jona që po na ndodh. Nuk e di këta njerëz të cilët po e udhëheqin këtë shtet a mendojnë për kulturë. Duhet këta njerëz mos me i keqpërdorë, njëlloj siç nuk duhet me e keqpërdor as dashurinë e vullnetin që e kanë, sepse ky është një profesion jashtëzakonisht i vështirë”, u shpreh ajo.
Rikthimi i koreografit Rodriguez për të punuar së bashku me balerinët për herë të katërt pasi që ai ka punuar me BKK-në, në vitin 2012 “Don Kishotin” e një vit më vonë “Liria ime”,kurse në vitin 2015 “Spartacus”, e ka bërë gjithë këtë proces më të lehtë tregoi për KultPlus balerini Sinan Kajtazi.
“Që në fillim të provave kemi pasur disa tundime do thosha dhe jo problem mirëpo asnjë ditë këto nuk i kemi vendos në plan të parë pasi që e kemi ditur se premiera do të vijë shumë shpejt dhe njerëzit të cilët do vijnë për të na parë do kenë dëshirë që të na shohin në nivel. Çdo ditë gjithë balerinët jemi angazhuar që të jemi në nivel dhe jemi të lumtur që kjo shfaqje u prit mirë nga publiku. Israeli është shumë i përshtatshëm për të punuar më të pasi që akoma është aktiv edhe vet si balerinë kështu që është treguar shumë i kuptueshëm. Ai akoma nuk e ka harru se sa e madhe është përgjegjësia kur je në skenë”, theksoi ai.
Në anën tjetër balerina Teuta Krasniqi u shpreh se kjo shfaqje është një ndër shfaqjet më të mëdha dhe më të vështira gjithashtu edhe nga ana teknike.
“Shfaqja është e gjatë me tri akte dhe deri në 2 orë e gjysmë por të ne është shkurtuar rreth 50 minuta. Por megjithatë shfaqja ka dal mirë dhe nuk i ka humbur ajo historia të cilën e ka shfaqja, besoj që kjo është shumë e rëndësishme. Arsyeja pse e kemi ftuar pikërisht koreografin Rodriguez për realizimin e kësaj shfaqje qëndron të fakti se shfaqjet të cilat ai i ka bërë më parë kanë qenë shumë të mira dhe janë prit mirë nga publiku. Tri shfaqje kanë qenë klasike kurse”Liria ime” ka qenë kryesisht tango pra në këtë rast edhe ne kemi mësuar shumë nga ai”, tha ajo për KultPlus.
Repriza e parë e shfaqjes “Le Corsaire” do të jetë sonte duke filluar nga ora 20:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës./ KultPlus.com