30 Janar, 2025 - 6:16 pm
Era Berisha
“Lenorë” titullohet shfaqja e cila mbrëmë shpalosi historinë në teatrin Dodona në Prishtinë. Premiera qe një përvojë teatrale e cila magjepsi me historinë e ndjeshme dhe simbolike. Shfaqja ka bashkuar zërat e gjigantëve letrarë përmes një sërë monologësh të cilat vinin qartazi e bukur. Fragmentet e Jacques Prévert, Charles Bukowski, Oscar Wilde, Gabriel García Márquez, Pablo Neruda, Robert Frost, Constantine P. Cavafy, Nâzım Hikmet, W.H. Auden, N.Simon, T.Williams, Alexander Pushkin dhe Samuel Beckett, erdhën në një mënyrë të atillë që la një plagë të hapur tek publiku, shkruan KultPlus.
Dritat e skenës u fikën fiks në orën 19:42, dhe bashkë me to edhe shushurimat brenda sallës. Skenografia e thjeshtë i hapi rrugën kuptimit të thellë të shfaqjes. Një katror i hapur i vendosur në skenë ishte ajo kutia brenda së cilës zhvillohej gjithçka, dhe përtej saj dilte herë pas here aktori Armend Zeqiri i cili rrëfente historinë e Lenorës, vajza që gjeti dashurinë por që përfundoi në një katrahurë të madhe përtej saj. Rrëfimi i Zeqirit erdhi këndshëm, teksa tregonte për secilin akt të radhës.
Shfaqja e cila zgjati plot një orë, rrëfeu emocionet njerëzore; dashurinë, humbjen, rebelimin, mallin dhe reflektimin ekzistencial. “Lenora” e cila luhej nga aktorja Valmira Hoti, erdhi bujshëm. Ajo rrëfeu jetën e Lenorës nga caku në cak. Intimiteti i marrëdhënies së rolit të saj me personazhin e partnerit “Adrien” që luhej nga aktori Rifat Smani ishte diçka që e ftoi audiencën për të kuptuar rëndësinë që kanë fjalët, veprimet dhe gjestet poetike.
Përpunimi i esencës poetike së shkrimtarëve të njohur ka qenë diçka e bukur. Shfaqja “Lenorë” erdhi si një ekspozitë emocionesh ku në të luftohej për jetë por mbi të gjitha, për dashurinë. Skenat një nga një tregonin takimin e parë të dy personazheve, pastaj rrjedhën e dashurisë së tyre, kujtimet që ia shpalosnin njëri-tjetrit e deri tek errësira që ia mbushi shpirtin të dyve nga prezenca e luftës që sapo kishte gjetur shtëpinë e tyre.
Lenora në një pikë të shfaqjes e kupton që do të bëhet nënë, por shumë shpejtë gjithçka ndryshon. Lufta zë vendin kryesor. Shpirti i saj thyhet në copëza, teksa humbjen e fëmijës e portretizon duke hedhur gjak mbi dy dritaret e improvizuara në skenë. Është një thirrje universale që i bëhet botës për të ndalur luftën dhe derdhjen e gjakunt të njerëzve.
Shfaqja “Lenorë” provokon audiencën për të kuptuar thellësinë e ekzistencës, mbijetesës, kujtimeve dhe vuajtjes poetike. Pra, brenda shfaqjes tregohet një dashuri që sfidohet nga lufta, duke u interpretuar nga një gjuhë poetike që jehon brenda katër mureve në sallë. Ëndrrat e thyera gjejnë vendin edhe tek pasqyrat të cilat në skenë shpesh reflektojnë dritë. Ato thyerje dritash reflektojnë krisma pushke e vdekjeprurëse. Në anën tjetër, kemi rolin e Adrienit, që burgoset dhe plot dyzetekatër orë qëndron duke dëgjuar zhurmën e zorrëve të tij dhe zhurmën e automatikëve që hidhen në ajër. Ai arrin të ikë nga aty dhe ta gjejë të dashurën Lenorë, mirëpo tashmë asgjë nuk është si në fillim.
“Lufta është idiotësi”, thërrasin aktorët në skenë, teksa fisheku i hedhur humb shëmbëllimin e vetë dhe terri plotëson fundin. Është një plagë e hapur që përkon me realitetin e hidhur të tanishëm në botë, realitet ky të cilin shpeshherë e shtyjmë anash në mendime. Shfaqja “Lenorë” nuk ka një fund të lumtur, njashtu sikurse fikja e qirinjëve që tashmë janë simbol për të nderuar të vdekurit, por edhe ata që në luftë janë zhduk e nuk janë gjend më.
Për të treguar më shumë rreth shfaqjes dhe idesë pas saj, për KultPlus foli regjisori Bashkim Ramadani.
“Për mua, dramatizimi i tekstit përfundimtar të shfaqjes ka qenë një sfidë e madhe dhe e vështirë. Kam përdorur poezi, monologë dhe fragmente të ndryshme, të cilat janë shndërruar në dialogë mes personazheve. Kjo qasje më ka mundësuar të eksploroj një mënyrë eksperimentale të ndërtimit të narratives. Tema qendrore dhe kulmore e shfaqjes është lufta dhe pasojat e saj tek dy të rinj, Lenorë dhe Adrien, që jetojnë në pasiguri dhe traumë të vazhdueshme. Përmes vizionit tim regjisorial dhe përjetimeve të këtyre personazheve, kam sjellë një tekst përfundimtar që nga një material dramaturgjik ka marrë formë si tekst skenik, i mbështetur nga metaforat dhe simbolet e gjetjeve dhe zgjidhjeve të mia regjisoriale”, thotë ai.
Sipas tij, skenografia, kostumet, rekuizitat dhe i gjithë arsenali skenik kanë qenë në funksion të shfaqjes, duke përforcuar vizionin dhe konceptin regjisorial. Ndriçimi dhe përzgjedhja muzikore, po ashtu kanë ndihmuar ndjeshëm zhvillimin e dinamikave mes skenave dhe raporteve të personazheve, varësisht nga rrethanat emocionale e dramatike.
“Unë besoj dhe shpresoj se këtë material dramatik, përmes konceptit regjisorial, e kam sjellë në formën më të denjë dhe më të arrirë për një shfaqje teatri. Arritja më e madhe e këtij rrugëtimi dhe eksperimenti teatror është krijimi i një teksti dramatik funksional, të shoqëruar nga elemente skenike që e bëjnë shfaqjen plotësisht të realizuar”, përfundon Ramadani.
Ndërsa, aktorja Valmira Hoti që luan rolin e Lenorës është shprehur tejet e lumtur me rezultatin e shfaqjes, teksa ka thënë se roli i saj ka qenë tejet kompleks.
“Roli i Lenorës ka qenë mjaft kompleks, por më ka ofruar mundësi të shumta shprehëse dhe përjetimi e transformimi. Për mua, është një nga rolet më të dashura, të cilin do ta mbaj gjatë në kujtesë dhe do ta luaj me shumë kënaqësi. Ka qenë një punë e lodhshme që ka kërkuar shumë durim dhe përkushtim, por në fund ia ka vlejtur,” thotë ajo.
Bashkëpunimin me partnerët skenikë dhe të gjithë bashkëpunëtorët, ajo e ka vlerësuar si shumë të mirë.
Shfaqja është bashkëprodhim me Teatrin Dodona dhe është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komuna e Prishtinës dhe Barabar Centre.
Skenografia: Burim Arifi
Kostumografia: Blendina Xhema
Dizajni i dritave: Skender Latifi
Ilustrimi dhe dizajni: Dardan Luta
Fotografitë: Sovran Nrecaj
Video: Genc Berisha
Teknikë të skenës: Albert Gashi, Bedri Maloku, Fadil Bekteshi./ KultPlus.com