24 Gusht, 2020 - 10:30 am
(Në 13 vjetorin e vdekjes së Faruk Begollit. Në vend të përkujtimit: një letër e bukur që ai ua ka pas drejtuar studentëve të tij të aktrimit, të cilët qenë ankuar kundër ‘rigorizitetit’ të tij si profesor. / shën. Jeton Neziraj)
Letër përshëndetëse
Studentëve të degës së aktrimit që sivjet nisin vitin e katërt dhe të fundit të studimeve.
Të dashur studentë!
Ju jeni fatlumë, pasi jeni gjenerata e parë që në vitin e tretë ju kam stërngarkuar me detyra. Dhe jeni gjenerata e parë që nuk ju po ju përcjelli deri në fund, ashtu siç kam bërë me të gjitha gjeneratat tjera para jushë. Kisha dëshiruar, sinqerisht, që kjo fatlumësi t’ju përcjellë më tutje. Fatlumësia ime do të plotësohet me arritjet e juaja në skenë, për këtë të jeni të bindur. Shkruat në gazeta se “po përgatiteni për skenë” dhe unë do të jem shumë i lumtur nëse ju vërtetë pregatiteni për skenë. Do të më tregoni jo vetëm mua, por edhe vetes dhe opinionit se keni të drejtë të jeni të skenës. Por mos harroni se aty dikund jam edhe unë; me rigorozitetin, me ‘zgjedhën’ dhe pedagogjinë ose “paditurinë”, por me dashurin për tju mësuar, për t
ju nxitur më tutje… me atë dashuri të sinqert që mund të sillet prindi ndaj fëmijëve të vet… Prandaj, besoni, suksesi juaj në skenë apo ekran do të jetë kënaqësi jo vetëm e juaja, por edhe e imja…
Të dashurit e mi!
E thatë se qëllimi juaj është të jeni sa më të mirë në skenë. Por ky ka qenë edhe qëllimi im: të jeni sa më të mirë në skenë, të bëheni të mëdhenjë në skenë… Çdo fitore juaja, çdo triumf juaji në skenë është edhe fitore dhe triumf imi! Secili vend ka kushtetutën që duhet të përfillet, pasi ajo është baza e asaj shoqërie. Kështu është, apo jo?! Por edhe ky zanat yni ka disa rregulla që duhen përfillur. Kanë ekzistuar që nga antika, e vazhdojnë të ekzistojnë edhe sot; kodet dhe rregullat që bashkëkrijojnë atë që mund të quhet “etikë e aktorit”. Por jo vetëm e aktorit, por edhe e studentit dhe pedagogut. Secili profesion ka kodet dhe ligjet e veta, pa të cilat ai nuk mund të funksionoj. Që në orën e parë kur jemi takuar ju kam thënë se aktrimi është “veprim” është “aksion”. Por, për të vepruar dhe për të kryer një aksion, duhet punë, duhet pregatitje. E puna dhe pregatitja kërkojnë kushte dhe rrethana, kërkojnë seriozitetin, kërkojnë durimin dhe shumçka tjetër. Pa këto cilësi “veprimi”, në skenë nuk mund të dalësh i plotë si aktor, nuk mund të dalësh bindës… Kjo është rruga për te suksesi, kjo është rruga për të mbetur gjatë në skenë…
Të dashur filiza të mi
Më keni dashur shumë. Më keni thirrur “babë”! Më keni treguar shumë intimitete, shumë probleme, shumë dilema. Keni pasur shumë besim në mua. Më keni thirrur “Faki”, “Faruk”, “Profe”, por kurr nuk më jeni drejtuar me “Ju”. Dhe, më besoni, këtë gjë unë e kam marrë si përparësi. Këtë shkallë të lartë intimiteti e kam pa si mundësi të mirë për t`ju mësuar rreth gjërave që kan lidhje me shpirtin, me sinqeritetin, emocionet e me dashurinë… E të gjitha këto, ta dini, janë BAZA, URA që ju çon drejt skenës, që ju bënë “cara në skenë”. Jam munduar që krejt ato sa kam ditur t’ua tregoj edhe juve, po po, “t’ua tregoj”, sepse e pashë dhe po e shoh se “nuk ju paskam mësuar”! Por ama, jam munduar!
Me një “ngelje” qëllimëmirëse, humbi dashuria, besimi, dija e eksperienca, intimiteti, ndjenja atërore…!! Shumë shpejt e ndërruat mendimin për mua!! Shumë shpejt u bëra armik i juaji! Sa shumë shpejt u bëra “profi më i keq në botë”! Ku ju mbeti kujtesa…! E çuditërisht, edhe pse ju nuk më doni, unë akoma ju dua!
Të dashur
Ju e dini se gjithmonë ju kam thënë se “duhet të ankoheni”, t’i kërkoni dhe shfrytëzoni të drejtat tuaja studentore. Ndonjëherë mund edhe t’ju kem ofenduar, por këtë e kam bërë që të ju nxis që të luftoni. Se lufta është thelbi i qenies njerëzore. A ju kujtohet kjo gjë? Shumë herë nuk keni pasë me vete as letër e as laps. A ju kujtohet?! Dhe më vjen mirë që më në fund shkruat “diçka”, shkruat kundër profit tuaj. Dhe dine: më gëzuat. Tek e fundit, diçka ju paskam mësuar. Jam i lumtur për këtë gjë! Por, e vërteta, si në skenë, ashtu edhe në jetë është tepër e rëndësisshme. Asnjëherë nuk ju kam mësuar për “gjysëm të vërtetën”, për rrëfime dhe “huazime” jashtë rrethanave të caktuara…!!! Shpresoj që më në fund ta keni kuptuar se çka janë rrethanat e konteksti! Por, gjithsesi, është mirë që më në fund u shprehët, shkruat diçka. Më në fund, filluat të dini se çfar doni. Tani e keni qëllimin. Bravo! Ligji është me ju! E aktrimi…?
Kalofshit bukur!
Faruk Begolli / KultPlus.com