1 Mars, 2019 - 9:30 pm
Karriera e saj ka një pikënisje që lidhet me emrin e Shemsedin Kirajtan, drejtor i teatrit amator në Prizren, për të cilin thotë se do t’i jetë mirënjohëse gjatë tërë jetës. Leze Qena mes të qeshurave tregon se nuk e kishte marrë seriozisht punën e aktrimit, sepse kishte besuar fort se nuk mund të jesh aktore nëse nuk ke një imazh si të Sofia Loren.
“Ai ka qenë drejtues i jetës time. Ai më pat thënë që duhet të shkoja në teatër në Prishtinë, por unë i thoja që mos të tallej me mua, sepse për të shkuar në teatër mendoja se duhet të ishe e gjatë dhe e bukur si Sofia Loren. Por ai insistonte se teatri kishte nevojë për mua. Unë nuk e dija që teatri kishte aktore me pamje të ndryshme”, fillon rrëfimin e saj Leze Qena.
Pjesë nga rrëfimi i KultËoman, ku ishte pjesë edhe aktorja e mirënjohur Leze Qena. KultËoman është projekt i KultPlus dhe i mbështetur nga “Culture for Change”, program i Bashkimit Evropian implementuar nga Qendra Multimedia dhe Goethe-Institut./KultPlus.com