21 Dhjetor, 2023 - 11:50 pm
“Libraria e magjepsur”, shfaqja e radhës për fëmijë e sjellë në skenën e teatrit “Zihni Sako” nga regjisorja Ledja Çeli, vjen në prag të festave me mesazhin e edukimit përmes librit.
Pjesa me një zhvillim dinamik dhe personazhe fëmijë të cilët po krijojnë edhe përvojë në aktrim po shfaqet çdo ditë deri në prag të Krishtlindjeve për fëmijë e të rritur, në Gjirokastër.
“Ishte një eksperiencë si për mua si për fëmijët aktorë e mbushur plot emocion dhe shumë e bukur. I falënderoj të gjithë fëmijët për durimin, dashurinë që kanë dhënë për shfaqjen dhe dua të them se sot kanë shkëlqyer të gjithë”, u shpreh regjisorja Ledja Çeli.
Fabula e shfaqjes lidhet me Deisyn një vajzë 10-vjeçare, e cila detyrohet të shesë libra në librarinë e familjes pasi gjyshi i saj gjendet i sëmurë në shtrat. Por libraria rezulton të jetë e magjepsur pasi personazhet e përrallave vijnë në botën reale dhe përballin karakteret e tyre në përpjekje për mbrojtur të mirën përballë së keqes. Pirati i zi dhe ndihmësi i tij kanë dalë nga libri dhe janë vënë në ndjekje të një thesari një gjerdan i çmuar por të tjerë personazhe si Tarzani apo Pipi Çorapegjata vijnë në ndihmë të Deizit. Kushti i vetëm është që askush të mos shihet nga njerëzit.
“Ishte eksperiencë shumë e bukur sepse asnjëherë nuk kam pasur fatin apo privilegjin për të patur dy role dhe sot e pata. Shpresoj që të gjithë fëmijët të kenë marrë një mesazh sepse ishte inkurajuese, një shfaqje nga fëmijët për fëmijët”, tha aktorja Athalia Koçi.
“Unë kisha rolin e Deizit tek shfaqja. Besoj se e përmbusha rolin 100% sepse edhe në jetën reale jam aktive e gazmore me fëmijët. Dua të bëhem aktore në të ardhmen dhe do jem shumë e lumtur nëse e arrij“, rrëfeu aktorja Megi Baxha.
“Kishim ca emocione në fillim, por siç na tha regjisorja marrim frymë thellë, boshatisim mendjen dhe bëjmë sikur publiku nuk është aty fare. Roli i piratit të zi ishte negativ, kriminel etj ndërsa roli tjetër ishte i gjyshit ishte pozitiv që rrinte me mbesën dhe e mësonte”, shtoi ajo.
Shfaqja e ndërtuar me një koreografi dinamike dhe personazhe që ndërveprojnë edhe përmes muzikës e vallëzimit përcolli mesazhin se kontakti me librin mund të jetë magjik duke i ftuar fëmijët të zbulojnë sa më shumë libra.
“Kishte një mesazh shumë të bukur që ne të lexojmë sa më shumë libra sepse na edukon dhe na jep shumë gjëra të mira“, tha një nga fëmijët që ndoqi shfaqjen.
“Më pëlqeu shumë shfaqja. Për pak më bëri për të qarë. Atje kisha shoqen time të ngushtë“, tha një tjetër.
“Libraria e magjepsur” do të rikthehet në skenë përgjatë fundvitit. Realizimi ishte një rikthim tek teatri për fëmijë pas dekadash mungese./TopChannel/KultPlus.com