2 Tetor, 2019 - 12:00 pm
Memorie.al publikon dokumentet arkivore me faksimilet përkatëse të korrespodencës zyrtare të KQ të PPSH-së, të vitit 1976, ku disa funksionarë të lartë të aparatit të Komitetit Qëndror që mbulonin sektorin e Artit e Kulturës, hartuan një listë e cila përfshinte një sërë emrash të njohur të instuticioneve kulturore dhe artistike të qytetit të Tiranës, ku përfshiheshin mjaft nga pesonalitetet më të shquar të tyre, si; aktorë, regjizorë, muzikantë, instrumentistë, këngëtarë, udhëheqësa artistikë etj, të cilët do hiqeshin nga vëndet e tyre të punës dhe do të largoheshin apo “transferoheshin” nga qyteti i Tiranës për në rrethe të tjera të vendit.
Transferimi i tyre në fakt ishte një internim i tyre, pasi ajo gjë nuk bëhej për nevoja pune, por për të vëtmin fakt se të gjithë personat që përmbante ajo listë, kishin problem biografike. Pra me pak fjalë ishin të padëshiruar për pushtetin komunist. Dhe kjo “listë e zezë” ku pjesa më e madhe e emrave të asaj përbëhej prej aktorëve të famshëm të Teatrit Popullor, Teatrit të Operas dhe Baletit, Kinostudios “Shqipëria e Re’, e Radio-Televizionit Shqiptar, i dërgohej për miratim dhe firmën e ekzekutimit, vetë Ramiz Alisë, sekretarit të K.Q.të PPSH-së që mbulonte Artin dhe Kulturën.
Lista në fjalë kishte shënimin “Tepër Sekret” dhe ajo ishte përpiluar edhe me ndihmën e Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit pranë Ministrisë së Puëve të Brendëshme, pasi për çdo emër të saj kishte të dhëna të veçanta biografike që vetëm ai digaster i dispononte. Pas Pleniumit të IV-të të PPSH-së dhe veçanërisht pas goditjes së të ashtuquajturit Grupit Armiqësor në Art dhe Kulturë në vitin 1973, periudha e spastrimeve në këtë sektor do të vazhdonte ethshëm edhe në vitet në vazhdim. Dhe pikërisht një gjë e tillë konsiston edhe në këtë dokument origjinal të Komitetit Qëndror të PPSH-së ku në përmbajtjen e të cilit theksohet në mënyrë specifike, i gjithë mekanizmi represiv i strukturave PPSH-së për të goditur deri në fund të ashtuquajturin elementin armik, në një nga sektorët më të ndjeshëm të propagandës së regjimit komunist. Në këtë listë përfshihen emra të aktorëve, kompozitorëve, dhe regjizorëve të cilët u futën në këto “Lista të Zeza” me qëllim, spastrimin e gjithë sektorit të artit dhe kulturës nga elementët e padëshiruar për regjimin e kohës.
Fundi i viteve 60-të dhe fillimi i vitet 70-të, do të shënonte rekorde përsa i përket ideologjizimit ekstrem komunist, jo vetëm të sektorit të Artit dhe Kulturës në Shqipëri, por të të gjithë aspekteve kryesore të jetës së përditshme në regjimin komunist të Enver Hoxhës. Për instancat përkatësë të K.Q.të PPSH-së për Artin dhe Kulturën, absolutisht nuk kishte rëndësi shkqëlqimi dhe profesionalizmi i Ilia Shytit, Roza Anagnostit (Xhuxhës), Sheri Mitës, Robert Ndrenikës, Prokop Murrës, Ndrek Shkjezit, Bujar Lakos, apo regjizorit Luigj Gurakuqi, solistes Luiza Papa (Çako), apo piktorit Naxhi Bakalli. “Shkrimtarët dhe artistët janë ndihmësit e partisë dhe si të tillë, ata në rradhë të parë ne duhet të jenë njerëz politik”. Kjo ishte deviza që mbizotëronte kudo në Shqipërinë komuniste të atyre viteve, e sanksionuar në të gjitha librat shkollorë dhe atyre të propagandës komuniste, gjë e cila gjente mishërim në çdo hap dhe sector të jetës.
Regjimit komunist përpara profesionalizmit dhe virtyteve të larta të njerëzve të artit dhe kulturës, u interesonte ideologjizimi me “Frymën Revolucionare”, e cila në ato vite u importua në mënyrën më brutale të mundshme nga Kina e largët me Revolucionin Kulturor. Thënia e famshme e Enver Hoxhës për të ashtuquajturin Grup puçist në ushtri, “Të fshjmë me fshesë të hekurt njëherë e përgjithmonë të gjitha bishtat dhe mbeturinat e grupeve puçiste në çdo sekstor të shoqërisë”, u aplikua tërësisht edhe në artin dhe kulturën shqiptare të mesit të viteve 70-të, të cilat u vunë tërësisht në kontrollin e rreptë të organeve të “diktaturës së proletariatit”. Këtë gjë e dëshmon mësëmiri dhe ky dokument që po botojmë të plotë në këtë shkrim.
LETRA QE I DERGOHEJ RAMIZ ALISE PER ARTISTET ME BIOGRAFI TE KEQE
Informacion
RRETH PERBERJES POLITIKE TE DISA KUADROVE QË PUNOJNË NE INSTITUCIONET ARTISTIKE QENDRORE
Pas pleniumit të 4-të të Komitetit Qëndror të Partisë janë marrë një sërë masash për përmirësimin e përbërjes politike të kuadrit që punon në institucionet artistike qëndrore si në Kinostudijo, Teatrin e Operas e të Baletit, Teatrin Popullor etj.
Në fillim të vitit të kaluar, gjatë diskutimit për luftën kundra burokratizmit ky problem u shikua dhe më gjërë. Organizatat bazë ngritën disa çështje që duheshin shikuar.
Gjatë kësaj periudhe u evidentua edhe njëherë i gjithë kuadri me përbërje të keqe politike.
Komiteti i Partisë së Rrethit vendosi që për përmirësimin e gjendjes të ndjekë këto kritere:
Në rradhë të parë të hiqen ata që kanë përbërje politike të keqe, janë më të kompromentuar dhe nuk mund të dalin në skenë.
Gjithashtu gradualisht, të hiqen ata që s’kanë përbërje të mirë dhe nga pikëpamja ideoprofesionale nuk kanë vlera të rëndësishme.
Për disa artistë që kanë njolla në përbërje politike, po që së shpejti mbushin moshën e pensionit të largohen kur të dalin në pension.
Ndërsa disa artistë që skanë problem në biografi, të dalin në pension në bazë të punës bindëse me ta. Largimi i tërë këtyre do të pastrojë institucionet artistike dhe do t’i hapë vend elementit të ri e të përshtatëshëm në trupat tona qëndrore.
Për të larguar kuadrot me përbërje të keqe u patën parasysh që të shikohej jo vetëm ana biografike, por dhe puna e veprimtaria e tyre në atë institucion.
Kriteret e vendosura ne na duken të drejta. Gjatë kësaj pune u larguan nga këto institucione disa nga këta njerëz.
Në Teatrin e Operas dhe Baletit, u larguan 6 veta: (Donika Miluka, Llazar Morcka, Lenka Zotëria, Diana Keqja, Adivije Alibali dhe Jeta Nase)
Në Teatrin Popullor u hoq Ferial Alibali, Lazër Vlashi.
Në Kinostudjo, u hoqën 3 veta; Genc Rruzhdiu, Xhemal Broja dhe Zhak Vituli.
Por shihet se në këto institucione kemi ende njerëz me përbërje të keqe politike. Kështu si të tillë në listën e hartuar vitin e kaluar organizatat bazë kanë evidentuar në Teatrin Popullor 14 veta, në Teatrin e Estradës një vit më parë kemi pasur rreth 15 veta, por tani kemi vetëm 2, në Teatrin e Operas dhe Baletit 22. Nga Komiteti i Partisë janë duke u marrë masa për largimin edhe të disa të tjerëve.
Për t’i pastruar këto institucione duhen ndjekur disa rrugë. Ka që janë më të kompromentuar dhe pa talent dhe duhen hequr shpejt. Kështu p.sh. në Teatrin e Operas kemi hequr disa që kanë babën ose vëllanë të pushkatuar për qëndrim armiqësor gjatë luftës ose pas çlirimit, si Haki Bejleri, Thoma Nova. Megjithëse këta kanë nga 20 vjet në këto institucione, mendojmë se duhen larguar mnejëherë nga ky institucion qëndror.
Disa aktorë të Teatrit Popullor, gjatë luftës nuk kanë mbajtur qëndrim të mirë politik. Kështu Prokop Mima gjatë luftës ka qenë me rininë e Ballit. Ndrek Shkjezi gjatë luftës ka qenë me Partinë Fashiste, (por gruaja e tij është anëtare partie, kryetare e orgaizatës së gruas së rajonit). Me që këta janë në prag të pensionit, do të mbahen një deri në dy vjet sa të dalin në pension.
Një grup më i gjërë kuadrosh kanë ndonjë pjestarë të familjes së tyre bashkëpunëtorë me armikun apo me organizatat tradhëtare. Të tillë mund të përmendim Ermelinda Pemën, (i jati i saj gjatë luftës ka qenë oficer, mbas çlirimit i burgosur, një vëlla dënuar për tentaivë arratisje). Bujar Lako (babaj i tij gjatë luftës ka qenë nënkomisar policie, dhe komisar i çetës balliste të Safet Butkës). Roza Anagnosti, (i jati para çlirimit ka qenë oficer dhe në vitin 1950 është dënuar për veprimtari armiqësore). Me njerëz të familjes të dënuar për qëndrim të keq politik janë dhe Vilhelm Konjari, Brixhita Xhepa, Jorgji Kareco etj.
Për këtë është menduar që gradualisht të hiqen nga institucionet artistike qëndrore dhe të venë në trupat artistike të rretheve ose në ndonjë klub të Bashkimeve Profesionale, shtëpi ose vatër kulture ne Tiranë.
Disa të tjerë kanë pjestarë të familjes të arratisur, të dënuar për tentativë arratisje, ose të ikur jashtë shtetit gjatë luftës. Kështu Robert Ndrenika (ka vëllanë të arratisur në vitin 1961 dhe dajën armik). Sheri Mita (i jati ka ikur jashtë shtetit për studime dhe s’është kthyer) Gëzim Kaceli, (vëllanë të arratisur, xhaxhanë të pushkatuar). Ndërsa Manushaqe Çekani, Kristaq Rada, kanë vëllezërit të dënuar për tentativë arratisje. Përbërje të tilla kanë dhe Zef Ndoci, Ilia Shyti, Miltiadh Papa.
Edhe për këtë mendohet të hiqen nga këta institucione qëndrore dhe të çohen në institucione të tjera, ndërmarrje, kooperativa bujqësore ose në rrethe.
Një numër tjetër artistësh kanë të afërm të tyre të dënuar ose të implikuar në veprimtari armiqësore. Përmendim si shembull: Luiza Papa, (është gruaja Gaqo Çakos), e cila ka pasur të dënuar politikë të dajat e saj, Valter Bablusha, (xhaxhaj dhe daja me Ballin. Me përbërje të tillë ka dhe të tjerë si Sami Bakalli, Luigj Gurakuqi, dajën të pushkatuar etj. Ne përmëndëm vetëm aspektet negative, por në përbërjen familjare këta kanë dhe të dhëna pozitive. Mendohet që këta duhet të lëvizin, por pak më vonë, gradualisht dhe sipas rastit e duke pasur parasysh tërë përbërjen familjare e sjelljen e tyre.
Komiteti i partisë i Rrethit dhe i rajonit, po merr masa për largimin gradual të këtyre kuadrove, por mendoj se është nevojë pa e kthyer në një fushatë, të veprohet me një ritëm më të shpejtë, sidomos me Teatrin e Operas e Baletit.
Nga ana tjetër për largimin e disa prej tyre ka vështirësi, se përbërja familjare është komplekse, krahas anëtarëve të familjes, ose të afërmve me përbërje politike të keqe, kanë dhe një qëndrim shumë të mirë. Nga organizatat ka edhe raste që nuk e shikojnë në kompleks problemin duke përfshirë në këtë përbërje të keqe edhe njerëz që kanë ndonjë kushëri të arratisur, ose xhaxhane armik, kur dihet se prindërit i kanë anëtarë partie.
Në të gjitha rastet do të veprohet duke pasur parasysh punën dhe sjelljen e secilit gjatë kohës që punojnë në këto institucione. Mendohet se atyre t’u sigurohet një punë më e përshtatëshme me profilin. Një pjesë e madhe e tyre do të sistemohen në institucionet artistike të rretheve.
3.4.1976 SEKTORI I ARSIM-KULTURËS
RUSMALI; SHOKU PIRRO, JEMI DAKORT, TA SHOHE DHE SHOKU RAMIZ
Dokumenti sekret i përgatitur nga sektori i Arsim-Kulturës në Komitein Qëndror të PPSH-së, me emrat e artistëve dhe aktorëve me problem biografike u shikua fillimisht nga ana e Çajup Rusmalit dhe më pas iu dërgua për miratim edhe Komitetit të Partisë së Tiranës. Kjo gjë shihet qartë dhe nga letra e Çajup Rusmalit, ku shkruhet:
Shoku Pirro
Lidhur me këto çështje biseduam edhe me shokët e Komitetit të Partisë së Tiranës, të cilat janë dakort. Mendojmë se mund t’i kalohet edhe shokut Ramiz.
8.4.1976 Çajup Rusmajli (firma)
RAMIZ ALIA: ÇDO BEHET ME TA, KUR DHE SI DO LARGOHEN?
Njëkohësisht me Komitetin e Partisë së Tiranës, dokumenti sekret i përgatitur nga sektori i Arsim-Kulturës në Komitein Qëndror të PPSH-së, me emrat e artistëve dhe aktorëve me problem biografike, iu dërgua për miratim edhe Ramiz Alisë, i cili me shkrimin e tij ka shënuar: “
Ky informacion është tepër eklektik edhe do të largohen, edhe duhen parë në kompleks problemi. Edhe do të kihet parasysh sjellja e secilit. Po çdo të behet konkretisht? Kush ikën dhe përse? E kush nuk do të iki? Kush tani dhe kush më vonë? Ramiz (firma)
RAMIZ ALIA; JAM DAKORT, BENI NJE PROGRAM SE SI DO VEPRONI
Siç shihet dhe nga shënimi që Ramiz Alia ka bërë mbi dokumentin në fjalë me emrat e artistëve dhe aktorëve me problem biografike të cilët duhet të hiqeshin nga pozicionet e tyre të punës, të transferoheshin, apo të dilnin në pension, fillimisht ka pasur një hezitim nga ana e tij, se çdo bëhej me këta njerëz dhe si do veprohej me ta? Por ky hezitim i tij duket se nuk ka zgjatur shumë, pasi ai është detyruar ta pranojë atë dokument dhe të jetë plotësisht dakort me të. Këtë gjë e tregon mësëmiri edhe letra e nënshkruar nga funksionari Jakup Mato, funksionar i sektorit të Arsimit e Kulturës në Komitetin Qëndror. Në shënimin e tij thuhet: “
A.A Ky informacion u pa nga shoku Ramiz. U tha përsëri të bëhet një program si do të veprohet për përmirësimin e gjendjes: kush hiqet, ku venë, cilët hiqen menjëherë, cilët gradualisht. Këto porosi ju thanë shokut Sotir Kamberi më datën 14. 4. 1976
20. 4. 1976
Jakup Mato