Margariti: Ndërtimi i Teatrit të ri Kombëtar, kushte të denja për të bërë art

15 Nëntor, 2021 - 9:15 pm

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti deklaroi sot se ndërtimi i Teatrit të ri Kombëtar është një premtim madhor, i mbajtur ndaj artistëve, por edhe publikut që meritojnë kushte të denja njëlloj si në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit dhe hapësira bashkëkohore për të bërë art.

“Është një skemë që duhet të pulsojë, jo vetëm nga kujtimet e veprave shqiptare, por edhe nga prania e artistëve e regjisorëve të huaj që do të vijnë”, tha Margariti, gjatë fjalës së saj në Kuvend, ku po diskutohet në parim projektbuxheti për vitin 2022.

Ministrja Margariti tha se janë 30 objekte të dëmtuara nga tërmeti që jo vetëm po ringrihen, por edhe rijetëzohen. Sipas saj, kjo edhe falë mbështetjes prej 40 milionë eurosh të EU4Culture.

“Kultura vjen me buxhetin më të madh që kjo ministri ka patur ndonjëherë dhe me numrin më të madh të projekteve. Buxheti është mishërimi i një vizioni për të vazhduar me rikthimin e dinjitetit të jetës artistike e kulturore, duke u përqendruar te rimëkëmbja e infrastrukturës dhe duke sjellë mundësi të reja ndaj kulturës dhe të të bërit art”, tha Margariti.

Sipas saj, buxheti 2022 është mbi 4.1 miliardë lekë.

“Buxheti 2022 për Kulturën është rritur në një masë të paprecedent prej 46.6 % krahasuar me një vit më parë”, tha Margariti.

Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë, Margariti tha se janë akorduar në buxhet 715 milionë lekë, me një rritje 34.2 %. Ministrja theksoi se, në mbështetje të artit dhe kulturës janë vendosur mbi 3 miliardë lekë në këtë buxhet, një rritje prej 52.6 %.

Ajo informoi se ka nisur puna për krijimin e Qendrës Kulturore për Fëmijë dhe Teatrin e Kukullave.

“Për të gjithë ata gjumëprishur e fjalë shumë për fatin e godinës së Teatrit të Kukullave, ju them me krenari se si pjesë e programit EU4Culture do t’i nënshtrohet restaurimit të plotë dhe do të shndërrohet në një qendër multikulturore. Në vitin 2022 do të vazhdohet me rijetëzimin e Piramidës, një bashkëfinancim me bashkinë e Tiranës me një fond prej 1.2 miliardë lekë, ku mbështetja buxhetore për 2022 është 452 milionë lekë. Programi art e zeje do të hyjë në të gjitha shkollat. Ne, me të njëjtën ambicie si atë të TKOB, do të riparojmë Galerinë e Arteve që do të kthehet në një muze dinjitoz, Muzeun e Arteve të Bukura”, tha Margariti.

Ministrja u shpreh se do të zbulohet edhe Mozaiku i Tiranës, një hapësirë mes disa rrugicash ku arkeologët u rikthyen pas më shumë se 40 vitesh dhe rishkruan edhe një herë historinë e gjenezës së këtij qyteti. / KultPlus.com

Të ngjajshme