Margariti: Teatri i Operas dhe Baletit po shndërrohet në hapsirën e ëndërruar nga të gjithë artistët

24 Janar, 2020 - 2:58 pm

Ministrja e Kulturës Elva Margariti tha sot se Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit, po shndërrohet në hapësirën e ëndërruar nga të gjithë artistët.

Ministrja Margariti ka inspektuar nga afër punimet që janë drejt përfundimit në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit.

“Po shkurtohen ditët, kur punëtorët do t’ia lënë vendin artistëve të skenës. Ditë pas dite shohim se si ajo gërmadhë, që nuk arrinte të mbante më mbi supe, me emrin e madh të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, po shndërrohet në hapësirën e ëndërruar nga të gjithë artistët”, shprehet Margariti.

Investimi madhor vjen pas 60 viteve për t’u kthyer artistëve një skenë europiane.

“Kjo ndërtesë priti gjatë, plot 60 vjet që nga dita e ndërtimit, që të shihte një investim kaq madhor. Së shpejti ajo do t’i kthehet prapë artistëve e publikut, që do të mund të shijojnë një shfaqje si kudo në Europë, pa u shqetësuar për të ftohtët e dimrit dhe vapën e verës”, tha ministrja Margariti.

Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit është transformuar si nga akomodimi ashtu dhe garancia e parametrave teknikë e profesionalë të akustikës, cilësisë së zërit dhe me një skenë moderne në qendër, falë investimit të qeverisë shqiptare.

Salla e Teatrit të Operas dhe Baletit ka filluar të shfrytëzohet që nga shtatori i vitit 1966 dhe që në fillim janë hasur problemet që lidheshin me akustikën si: intensiteti i ndryshëm i përhapjes së valëve zanore në mënyrë jo të njëtrajtshme në pika të ndryshme (dhe veçanërisht në lozhën qeveritare) dhe dëgjimi i dobët dhe pa kolorit. Për këtë u bënë ndërhyrjet e para në akustikë në vitin 1975. /atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme