21 Dhjetor, 2022 - 8:05 pm
E pranishme në ceremoninë e vendosjes së gurthemelit të teatrit te ri kombëtar, ministrja e Kulturës, Elva Margariti tha se Tiranës sot i shtohet një pikë referimi, i shtohet një hallkë e një zinxhiri të madh investimesh. “Teatri Kombëtar është hallka e një dinjiteti të munguar, jo vetëm të artistëve por i të gjithë komunitetit të banorëve dhe komunitetit artistik. Tirana është kryeqytet vibrant dhe s’ka gjë më të bukur se të celebronim një vit të tërë bashkë si Vitin Europian të Rinisë”, u shpreh Margariti.
Duke iu drejtuar artistëve të pranishëm në ceremoni, Margariti u shpreh se “ua kemi borxh sakrificën, duke iu kthyer dinjitetin e munguar”.
“Ju sot, jeni të parët që nderoheni, por duke parë edhe drejt fëmijëve tanë, që edhe ata të jenë krenarë që të jenë pjesë e kësaj Shqipërie”, tha ministrja e Kulturës.
Më pas, Margariti krahasoi buxhetin e qeverisë Rama për Kulturën, me qeverinë e vitit 2013, kur u investuan afro 1 milion dollarë, ndërsa këtë vit buxheti është 20 milionë dollarë. Sipas ministres, kjo qeveri nuk e shikon kulturën si një stoli, por si kryefjalë të një zhvillimi.
Ndërsa duke iu referuar arkitektit të teatrit të ri, ministrja Margariti tha se në të gjithë botën bëhet garë për të pasur firmën e këtyre arkitektëve në qytetet e tyre, për t’u kthyer në simbole të zhvillimit./atsh/ KultPlus.com