4 Prill, 2019 - 5:51 pm
Regjisorja Marigona Bekteshi Ferati do të prezantojë Kosovën dhe Shqipërinë në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrove “Gavran fest”, në Pragë të Republikës së Çekisë, shkruan KultPlus.
Shfaqja “Si Ta Vrasim Presidentin” e Bekteshi-Feratit vazhdon të mbetet në repertuarin e skenës së vogël në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Kjo shfaqje me pjesëmarrjen në Pragë të Çekisë, do ta prezantojë Teatrin Kombëtar të Kosovës, kurse shfaqja “Sundimi i Gruas” nga po kjo regjisore, do të përfaqësojë teatrin “Petro Marko” të Vlorës.
Te dyja këto shfaqje, të inskenuara nga regjisorja Bekteshi Ferati janë përzgjedhur të prezantojnë Kosovën dhe Shqipërinë në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrove “Gavran Fest” që këtë vit shënon edicionin e tij të 10-të.
Regjisorja Bekteshi Ferati, shprehet tejet e lumtur për selektimin e këtyre shfaqjeve në mesin e shfaqjeve të tjera nga shtete te ndryshme. Lidhur me këtë, ajo falënderoi Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe Teatrin “Petro Marko” në Vlorë.
Festivali “Gavran Fest” do të mbahet nga 7 deri me 12 Tetor të këtij viti në Pragë
.
Në ketë festival do të prezantohen dy trupa teatrore, njëra nga Kosova dhe tjetra nga Shqipëria. Nga Kosova do të prezantohet trupa e shfaqjes “Si ta vrasim Presidentin”, e që përbehet nga Rabie Kryeziu, Mirsad Ferati, Fatmir Haliti dhe Njomza Tmava. Ndërsa trupa nga shfaqja “Sundimi i Gruas” përbëhet nga aktorët nga Shqipëria: Dori Caushi, Artan Islami, Margent Caushi dhe Seliana Dalipi.
Gjithashtu regjisorja Bekteshi Ferati, falënderoi edhe Ambasadën e Republikës së Kosovës në Pragë dhe Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Prage, te cilat janë shprehur të gatshme të mbështesin prezantimin e Kosovës dhe Shqipërisë në festivalin “Gavran Fest” për edicionin të 10-të.
Në Qershor të vitit 2018 regjisorja Marigona Bekteshi Ferati, inskenoi dramën “Si Ta Vrasim Presidentin” në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Kjo shfaqje për herë të parë solli në Kosovë autorin Miro Gavran./ KultPlus.com