16 Gusht, 2017 - 11:18 am
Jeta Zymberi
Sopranoja kosovare Marigona Qerkezi, e cila tashmë ka përfshirë një teren të gjerë me prezantimet e saj në teatrot më prestigjioze në botë, së fundi debutoi edhe në ‘Rossini Opera Festival’ me rolin Madama Cortese, shkruan KultPlus.
“Është privilegj i madh për mua që pata rastin të perfeksionohem dhe rritem profesionalisht me specialistin Rossinian të shekullit, Maestro Alberto Zedda. Prandaj këtë debutim, me plot zemër ia dedikova maestros së ndjerë, Alberto Zedda”, tha fillimisht sopranoja Marigona Qerkezi për KultPlus.
Të debutojë me rolin Madama Cortese nga opera “Il Viaggio a Reims” e kompozitorit Rossini , pikërisht në Rossini Opera Festival, që është festivali më prestigjioz në mbarë botën, i dedikuar ekskluzivisht për kompozitorin Gioacchino Rossini, në vendlindjen e tij Pesaro – Itali, padyshim që ka një rëndësi të jashtëzakonshme për karrierën e sopranos kosovare.
Por, e gjithë kjo erdhi si rezultat i punës së verifikuar pas audicionit të realizuar disa muaj më herët, ku Qerkezi u përzgjodh si fituese nga mbi 300 konkurrentë nga e mbarë bota.
“Periudhë e gjatë dhe intensive e përgatitjeve dhe provave, u shpalos në skenën e Teatro Rossini, dhe u ndoq nga 10.000 shikues në platformën e transmetimit direkt online”, ka treguar tutje Qerkezi.
Për këtë interpretim të sopranos kosovare kanë shkruar edhe kritikat në mediat italiane.
“Marigona Qerkezi, që së shpejti do të jetë Madama Cortese në Gran Teatre del Liceu në Barcelonë, interpretoi mrekullisht këtë rol, duke i merituar duartrokitjet e para të shfaqjes, dhe ovacionet “Bravissima” ende pa e mbaruar pjesën e saj, ovacione të cilat u shpërndanë dhe e përmbushen sallën sapo ajo mbaroi arien”, shkruan një nga kritikat në mediat Italiane. / KultPlus.com