31 Dhjetor, 2018 - 8:30 pm
Gjithçka nisi qysh në fëmijëri, në kohën kur secili është në fazën e ëndrrave për ndërtimin e profesionit për të ardhmen, e që shpesh gjithçka mbetet aty për të marrë tjetër kuptim me zhvillimin dhe formimin e personalitetit. Por, për Marigona Qerkezin ëndrra e fëmijërisë mori jetë tutje. Ndonëse ishte vetëm 6 vjeç kur për herë të parë shkeli në skenë, hapat e saj nuk u ndalën asnjëherë, ajo vazhdoi fuqishëm në rrugën e saj prej artiste, duke bërë kështu që zëri i saj të jehojë në skena të mëdha botërore. Për të zbuluar më shumë rreth këtij rrugëtimi, ëndrrave, emocioneve skenike, dhe roleve të saj të shumta, sopranoja Marigona Qerkezi në një intervistë për KultPlus na sjellë gjithë rrugëtimin e saj prej artisteje.
Jeta Zymberi
KultPlus: Karriera juaj ka filluar qysh në moshën 6 vjeçare, atëherë kur edhe kishit paraqitjen e parë skenike, por tashmë ju keni arritur të depërtoni suksesshëm në skenën ndërkombëtare dhe të shkelni shumë skena të mëdha, si e përshkruan këtë rrugëtim?
Marigona Qerkezi: Udhëtimi im artistik ka filluar në Slloveni, në Lubjanë, ku pata paraqitjet e para skenike si 6 vjeçare dhe pastaj në Zagreb, ku poashtu fillova edukimin muzikor për flaut. Jam me fat që qysh nga ajo moshë aq e vogël, kam pasur performanca të vazhdueshme dhe jam mishëruar me skenën ndërkombëtare hap pas hapi, gjë që kontribuoi në rrugëtimin tim i cili rrodhi natyrshëm dhe sukseset vinin një pas një.
KultPlus: Depërtimi në botën e artit jashtë trojeve shqiptare gjithmonë konsiderohet i vështirë, kjo për arsye të konkurrencës së madhe, sa ishte vështirë për ju dhe çka ju ndihmoi më së shumti për të arritur këtu ku jeni sot?
Marigona Qerkezi: Në rastin tim ishte ndryshe, sepse sukseset e korrura në skenën ndërkombëtare për vite me radhë, sa herë që kisha ftesa, i shfaqja edhe përpara publikut të dashur në trojet tona. Sukseset erdhën si rezultat i punës në kontinuitet dhe mundësive që krijoheshin nga rasti në rast, audicionet e shumta që i kam bërë, si dhe konkurset.
KultPlus: Sot në pozitën në të cilën ndodheni, si i kujton prezantimet tuaja të para në skena ndërkombëtare?
MarigonaQerkezi: E kujtoj me shumë dashuri koncertin e parë në jetën time, në Lubjanë (Slloveni) ku edhe fillova shkollimin dhe rrugëtimin tim. U prezantova si soprano dhe interpretova në përcjellje të korit. Është performanca e parë dhe e paharrueshme për mua! Një tjetër performancë shumë e rëndësishme, kësaj radhe si soliste në flaut, është ajo në Moskë (Rusi) si 15 vjeçare, ku interpretova krahas muzicientëve nga e mbarë bota, si dhe automatikisht krahas emrit tim, u vu flamuri i Republikës së Kosovës, kur dihet që edhe sot e kësaj dite Rusia ende nuk e njeh shtetin tonë. Një rast tjetër është ai i debutimit tim në Gran Teatre del Liceu – Teatrin e Operës në Barcelonë me rolin Madama Cortese, përsëri në një shtet si Spanja, e cila nuk e njeh Kosovën.
KultPlus: Ishit edhe gjysmëfinaliste e garës së madhe operistike Operalia, si ishte kjo përvojë për ju?
Marigona Qerkezi: Ishte kënaqësi të përzgjidhesha dhe pranoja komplimente nga i madhi Placido Domingo, pikërisht prej mijëra konkurrentëve nga e mbarë bota. Pata kënaqësinë dhe nderin të këndoja përpara tij si dhe jurisë shumë prestigjioze të Operalias, që krijoi mundësi të reja për mua, të cilat do të publikohen me kohë.
KultPlus: Cilin prej roleve e konsideroni si më të rëndësishmin në karrierën tënde?
Marigona Qerkezi: Duhet patjetër ta veçoj rolin tim të parë, me të cilin debutova si 22 vjeçare në Operën Mbretërore të Omanit, pra rolin e Mbretëreshës së Natës nga Flauti Magjik i Mozartit, i cili ka një rëndësi të veçantë jo vetëm pse është roli im i parë, por edhe për vështirësitë dhe peshën artistike që bart me vete. Gjithashtu, një vend tëveçantë ka roli i Lucias nga opera Luciadi Lammermoor e Donizettit.. një rol i jashtëzakonshëm!
KultPlus: Cila mbetet ëndrra juaj më e madhe e parealizuar ende?
Marigona Qerkezi: Kam shumë ëndrra e plane për të cilat punoj dhe shpresoj që do të mund t’i realizoj një e nga një.
KultPlus: Keni ndarë skenën me shumë artistë botërorë, por cili është artisti me të cilin ëndërroni të interpretoni bashkë në një skenë?
Marigona Qerkezi: Kam pasur fatin që deri tani të bashkëpunoj dhe të ndaj skenën me plot artistë botërorë, të cilët, përpara vetëm mund të jua lexoja emrat apo t’i dëgjoja në incizime. Natyrisht kjo listë e artistëve është e gjatë, dhe ka ende shumë e shumë prej tyre me të cilët do të dëshiroja të bashkëpunoja.
KultPlus: Falë talentit tuaj dhe zërit magjik, ju keni arritur të prekni shumë skena në vende të ndryshme të botës, por cilin teatër botëror e keni peng dhe ëndërroni që një ditë aty të dëgjohet zëri juaj?
Marigona Qerkezi: Përveç skenave ku deri më tani kam interpretuar (Slloveni, Kroaci, Rusi , Mal të Zi, Itali, Gjermani, Holandë, Kosovë, Amerikë, Japoni, Oman, Turqi, Maqedoni,Portugali, Shqipëri, Angli, Spanjë) gëzohem që çdo vit kjo listë po zgjerohet dhe dalëngadalë kam depërtuar në skena të ndryshme, dhe uroj që të arrij të interpretoj edhe në shumë prej tyre.
KultPlus: Jeni edhe fituese e disa çmimeve, sa ndikojnë çmimet në ngritjen e një artisti?
Marigona Qerkezi: Çmimet dhe vlerësimet nga njerëz të mëdhenj të artit padyshim më kanë dhënë shtytje dhe motivim për të vazhduar të punoj dhe përkushtohem edhe më fort. Është satisfaksion shumë i madh kur përzgjidhesh nga mijëra konkurrentë nga e mbarë bota, kalon nga një fazë në tjetrën, e natyrisht, aq më shumë kur triumfon e kurorëzohesh me çmim, përshembull mund të theksoj këtu 6 çmimet ndërkombëtare operistike të fituara përbrenda një viti.
KultPlus: Për momentin çfarë është duke bërë Marigona?
Marigona Qerkezi: Sapo kam mbaruar performancen te rolit Gilda nga opera Rigoletto e Verdit, rol të cilin e debutova në Teatrin e Operas në Cagliari (Itali) ditë më parë dhe u prit shumë mirë nga publiku dhe kritika. Tani kam ndarë pak kohë që t’i kaloj festat bashkë me familjen, si dhe paralelisht, duke qenë jashtëzakonisht me fat që të kem nënë – profesoreshën time të solo këndimit, Merita Junikun, të punoj me të për projektet e reja të cilat më presin në vitet që po vijnë.
KultPlus: A ju kanë ofruar role të reja dhe cilat janë ato?
Marigona Qerkezi: Kam shumë angazhime të cilat më presin gjatë viteve në vijim, por shumicën prej tyre ende nuk mundem t’i publikoj. Po përmend një nga to: momentalisht jam fokusuar në thellimin e përgatitjes së rolit Donna Anna nga opera DonGiovanni e Mozartit, të cilin do ta debutoj së shpejti në Tokyo New National Theater – Operan e Tokyos, Japoni. Në të njëjtën kohë, po përgatitem për plot projekte dhe role të reja të cilat do i shpalos me kohë.
KultPlus: Ndonëse karriera juaj tashmë po zhvillohet kryesisht jashtë trojeve shqiptare, ju asnjëherë nuk jeni shkëputur tërësisht nga Kosova ku ktheheni për koncerte e pjesëmarrje të ndryshme, por a do të mbani së shpejti ndonjë koncert në Kosovë?
Marigona Qerkezi: Pavarësisht që kam performuar në shumë vende të botës, Kosova zë një vend të veçantë për mua, dhe çdo herë i pranoj me shumë kënaqësi ftesat për të performuar për publikun tim të mrekullueshëm, natyrisht komfor mundësive për realizim dhe agjendës time profesionale.
KultPlus: Si do ta përshkruaje vitin që po lëmë pas?
Marigona Qerkezi: Një vit i pasur me shumë aktivitete artistike. Këtë vit realizova një ëndërr që të performoja në skenë operistike me rol të dyfishtë, atë të solistes në flaut, dhe si soprano në të njëjtën shfaqje ‘’IlViaggio a Reims’’ nga Rossini në 4 Teatro prestigjioze Italiane. Ishte premierë absolute e parealizuar asnjëherë më parë në histori, e vlerësuar edhe nga mediat. Diçka shumë e veçantë. Po ashtu mu shtua edhe një çmim special që e fitova në Konkursin Ndërkombëtar Operistik në Portofino, me juri prestigjioze nga Moska,Tokyo, Brukseli, Amsterdami, Firenze etj, të kryesuar nga drejtori i Operas Shtetërore të Vjenës. Veçoj koncertin në Pallatin Mbretëror në Torino, debutimin e Gildas në Cagliari…Koncertin Jubilar tëAsLiConëComo, ku u ftova si një nga ish-fitueset e çmimit të tyre, çmim ky i cili më hapi shumë dyer në botën operistike ndërkombëtare…, janë këto vetëm disa nga eventet që shënojnë vitin që po lëmë pas.
Ju faleminderit për intervistën dhe po shfrytëzoj rastin ti përshëndes të gjithë lexuesit e KultPlus dhe të ju uroj festat e fundvitit! / KultPlus.com