26 Shkurt, 2025 - 2:30 pm
Projekti “Marionetat e Trashëgimisë” (Heritage Marionettes) mbështetur nga EU4Culture, financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga UNOPS, synon të risjellë në skenë shfaqje të harruara të Teatrit të Kukullave në një format modern dhe interaktiv.
Melci Qirici, drejtore e Teatrit të Kukullave dhe Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë u shpreh në rrjetet sociale se, përveç performancave, fëmijët do të përfshihen në aktivitete edukative, duke mësuar mbi trashëgiminë në mënyrë argëtuese dhe frymëzuese.
Ky projekt po implementohet nga Digital Future në partneritet me Qendrën Kombëtare të Kulturës për Fëmijë dhe ka si qëllim të edukojë brezat e rinj mbi kulturën dhe traditat tona, si dhe të frymëzojë kreativitetin e tyre.
Projekti “Marionetat e Trashëgimisë” mbështetet përmes skemës së granteve të programit EU4Culture. Drejtorja e Teatrit të Kukullave e cilësoi si një nismë të veçantë që sjell trashëgiminë kulturore më pranë fëmijëve dhe një shembull i bukur i mënyrës se si arti mund të bëhet ura më e bukur mes brezave.
Shfaqja e parë që do të restaurohet do të jetë “Zemërimi i shkronjave”. Përveç kukullave që do të jenë të reja, do të rishikohet edhe teksti për ta përshtatur me kohën. / KultPlus.com