21 Shtator, 2024 - 9:40 pm
Flonja Haxhaj
Mbrëmë në Teatrin Kombëtar të Kosovës u shfaq premiera e dramës “Martesa” e autorit Witold Gombrowicz, e sjellë në skenë nga regjisori Norbert Rakowski. Kjo vepër e njohur e letërsisë dramatike polake të shekullit XX është një rrëfim mbi përditshmërinë, një studim i thellë dhe i çuditshëm mbi njeriun dhe jetën e tij të zhytur në ëndërr dhe absurditet, shkruan KultPlus.
Në qendër të dramës qëndron protagonisti, Henri (Armend Smajli), i cili kthehet nga lufta në një realitet të ndryshuar dhe të panjohur për të. Kjo botë e ndryshuar është një metaforë për kthimin në një vend të prekur nga lufta dhe konfliktet shoqërore e politike, duke u bërë një alegori për shoqëritë post-konfliktuale që përpiqen të rindërtojnë vlerat dhe marrëdhëniet njerëzore. Motivi kryesor i veprës përqendrohet në pyetjen nëse është e mundur të rindërtohet një rend i ri moral dhe social pas një konflikti shkatërrimtar.
Akti i martesës në këtë dramë nuk erdhi si një simbol tradicional i bashkimit dhe dashurisë, por si një pakt midis personazheve, që përfaqësojnë vizione dhe pritshmëri të kundërta për të ardhmen.
Me lëvizje e kthesa të papritura, aktorët Armend Smajli, Shkelzen Veseli, Ylber Bardhi, Mensur Safqiu, Sheqerie Buqaj, Era Balaj dhe Adhurim Demi sollën në skenë një interpretim të fuqishëm të kësaj drame komplekse. Performanca e tyre u dha jetë karaktereve të përplasuara me krizën e identitetit dhe kërkimin për dinjitet në një botë që është thellësisht e deformuar nga trauma e së kaluarës.
Pas shfaqjes, për KultPlus foli regjisori Norbert Rakoëski, i cili vlerësoi punën me aktorët e Teatrit kombëtar të Kosovës.
“Unë kam një eksperiencë 30-vjeçare si regjisor, kjo nënkupton që për mua të gjithë aktorët kudo në botë janë të njëjtë, të gjithë duan që të aktrojnë në mënyrën e tyre më të mirë, prandaj edhe ëstë e rëndësishme që të zgjedhim aktorët e duhur për rolet e caktuara, pra kasta është shumë e rëndësishme. Bashkëpunimi me aktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës ishte shumë i mirë, ajo që më befasoi më së shumti ishte seata punuan me një tekst të vështirë siç është ai i Gombroëicz që është një autor i panjohur për Kosovën.”, tha Rakoëski duke shtuar më tutje se me përpjekjen e të gjithëve arritën të nxjerrin një rezultat me të cilin të gjithë janë të kënaqur.
Ndërkaq, pas shfaqjes foli edhe aktori Armend Smajli, i cili në shfaqje u paraqit me rolin kryesor.
“Shfaqja është një absurditet, një teatër, një darmaturgji klasike. Në gjithë atë absurditetin, janë disa linja që si artistë mundohemi t’ia nxjerrim një lloj konkretizimi. Në gjithë atë absurditetin, janë disa linja që si artistë mundohemi t’ia nxjerrim një lloj konkretizimi. Një djalë i ri që kthehet prej luftës edhe ne nuk e dijmë çka ka ndodhur me të para se të shkojë në luftë dhe nuk e dijme kur kthehet, çka ka ndodhur me familjen dhe ish të fejuarën e tij. Është në kërkim të diçkaje, është në kërkim të riparimit të jetës që e ka pasur. Shfaqja është shkruar pas luftës së dytë botërore dhe vazhdon të ketë shumë gjëra aktuale edhe për kohën e sotme”, theksoi Smajli i cili mes tjerash u shpreh i lumtur që kjo dramë u inskenua edhe në teatrin kombëtar të Kosovës.
Shfaqja “Martesa” do të vazhdojë të shfaqet edhe sonte, më 23 dhe 25 shtator./KultPlus.com